Shkodër, maj 1914. Në dhjetor 1913 Konferenca e Ambasadorëve, përcaktoi kufijtë e shtetit të sapoformuar shqiptar, duke ja lënë Shkodrën Shqipërisë. Mali i Zi, që e kishte pushtuar ndërkaq disa muaj më parë, në prill të po atij viti, refuzon ta lëshojë qytetin dhe vetëm pas këmbënguljes së Koncertit të 6 të Mëdhejve, e lëshon atë, duke i vënë pjesërisht zjarrin dhe duke ndenjur në pritë të një momenti të përshtatshëm për ta rimarrë Shkodrën. Qyteti vendoset nën administrimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), i përbërë nga përfaqësues të fuqive të mëdha (Austro-Hungari, Francë, Itali, Gjermani, Angli dhe Rusi), i cili duhej ta administronte atë deri në ngritjen e strukturave të qëndrueshme të shtetit të ri shqiptar. Për shkak të kaosit që mbisundonte ngado, data kur do të ngriheshin strukturat e qëndrueshme të shtetit shqiptar, nuk dukej në horizont (ende sot pas 90 vjetësh, ato nuk janë ngritur). Meqë KNK-ja nuk mund ta imagjinonte një gjë të tillë që atëhere, ajo u mjaftua t’u kërkonte Fuqive të dërgonin reparte ushtarake për ta mbështetur në ruajtjen e rendit në qytet, gjë që u krye dhe në Shkodër u vendos rendi duke valuar 7 flamuj (6 të Fuqive + ai shqiptar). Gjithashtu edhe Princ Vidi u bëri thirrje nënshtetasve të vet të mbështesnin Qeverinë dhe të mblidheshin trupa vullnetarësh në mbrojtje të rendit. Në foto shihen, sipër, trupat e detashmentit gjerman në mbrojtje të Qeverisë në Shkodër dhe poshtë, trupa shqiptare që shkonin gjithashtu në mbrojtje të Qeverisë. Nga krahasimi i dy fotove, del qartë konstitucioni i këtyre dy popujve gjatë gjithë historisë së tyre. Gjermanët, në rreshta perfektë dhe uniforma të shkëlqyera edhe mes pluhurit dhe vapës së Shkodrës, duken gati si manekinë. Dhe e gjithë kjo paraqitje perfekte, përpara të vetmit spektator prezent, që është në fëmijë i leckosur. Gjermanët përfaqësues të një kombi që të paktën në 200 vjetët e fundit kishte zgjedhur rrugën e disiplinës prusiane, eficënës burokratike, bindjes ndaj autoritetit dhe së fundi të militarizimit të shoqërisë. E gjithë kjo ngrehinë, e kolauduar mirë, e devijuar më pas, do të bëhej rrezik për vetë qytetërimin perëndimor dhe, vetëm ndërhyrja amerikane në Luftën e parë dhe ajo sovjetike në luftën e dytë, e shpëtoi nga katastrofa. Fotoja poshtë, kërkon goxha sforcim për t’u kuptuar që bëhet fjalë për një repart ushtarak (eficencën e të cilit mund ta merrni me mend). Mes xhaketave të zbërthyera, qelesheve, shamive, leckave, trastave, hejbeve e ombrellave, mezi shquhen grykat e pushkëve të mbajtura në të gjitha mënyrat e mundshme. Në fakt të gjithë të huajt që kanë lënë kujtimet e tyre për atë kohë, ankohen se shqiptarët harxhojnë sasi kolosale municion i duke i shkrehur pushkët kot në ajër. Shqiptarët në historinë e tyre ishin mësuar të qenë e kundërta e gjermanëve. Të parregullt, të padisiplinuar, të pamësuar me zbatimin e ligjeve, ishin mësuar të mbijetonin jo duke u përballur por duke ju shmangur rrezikut nëpërmjet mbylljes në malet e tyre. Në shekullin XV kjo ndoshta të ndihmonte të mbijetoje, ndërsa në shekullin e XX kjo ishte me pasoja asgjësuese. Nga palët e paraqitura më sipër, gjermanët, në kuadër të KNK-së e kryen detyrën e tyre, edhe KNK-ja e kreu detyrën duke e mbajtur Shkodrën të lirë përballë kërcënimit Malazias nga njëra anë dhe bandave plaçkitëse nga ana tjetër. Të vetmit që nuk e kryen detyrën e tyre qenë shqiptarët që braktisën gjithshka (si gjithmonë) dhe duke rrezikuar kështu seriozisht ekzistencën e shtetit të tyre, në pragun e Luftës Botërore që po niste, bash atëherë kur më shumë se kurrë kishte nevojë për ta.