Version per printim i artikullit

 

Taksat e ulta dhe demagogjia pas saj

Shkruan : Ermelinda Meksi

Debati per çështjet ekonomike në Shqipëri fatkeqësisht shoqërohet me informacionin e keqpërdorur prej pushtetit përkundrejt asaj që ndodh në çdo vend të zhvilluar e demokratik ku debate të tilla i karakterizon realizmi i pushtetit tëinformacionit.

1. Pushtet i informacionit pëkundrejt informacionit tëpushtetit
Informacioni ëhtë pushtet për vendimarrje efikase në kohë pë ekonominë, por e kundërta ndodh tek ne kur informacioni është pronë e pushtetit. Në vend të të dhënave zyrtare të përditësuara dhe informimit të publikut për ecurinë e buxhetit jemi njohur me konferencat e shtypit të Ministrit apo zv Ministrit të Financave dhe atij të Ekonomisë. Krejt ndryshe ndodh me informimin e publikut në SHBA. Në datë 3 prill publiku amerikan u njoftua për nivelin e papunësisë në muajin mars. Ndërsa tek ne, INSTAT vazhdon të publikojë një informacion për papunësinë shumë të vonuar (tremujorin e tretë të vitit te kaluar) dhe njëkohësisht të pasaktë dhe të paplotë. Ai realizohet vetëm mbi bazën e anketave dhe jo edhe nga burime të tjera siç janë zyrat e regjistrimit të papunësisë, zyrat e sigurimeve shoqërore etj.
Në Shqipëri kalendari i njoftimit për buxhetin e konsoliduar në vitet e qeverisjes para 2005 ishte data 14 e muajit pasardhës, praktikë që sot nuk ekziston. Megjithëse sot në faqen e Ministrisë së Financave në zërin “Publikime” ka katër rubrika ku pasqyrohet ecuria e treguesve fiskalë si: a)Buletini fiskal; b) Ekonomia në Fokus; c) Ekonomia dhe buxheti; d) Treguesit fiskalë dhe shpenzimet e buxhetit, në rastin më të mirë publikimi është i azhornuar deri për Janarin 2009 (pra informimi i publikut në kohë reale mbetet një problem). Informimi pra është zëvendësuar me vonimin e informimit. Për fat të keq e njëjta gjë ndodh edhe me Bankën e Shqipërisë. Informacioni më i fundit është ai mbi statistikat bankare të muajit Janar.
Në këto kushte edhe kur të dhënat sigurohen nga burime të ndryshme, bie në sy që ato lexohen në mënyrë të njëanshme nga qeveritarët megjithëse në fakt ka probleme reale. Kjo bëhet për të realizuar informim sipas oreksit të pushtetit; për të justifikuar rritjen e pagave dhe pensioneve që në muajin maj pavarësisht nga ecuria e të ardhurave buxhetore dhe rritja galopante e e deficitit buxhetor por dhe pasojat e mëdha që ka kjo për ecurinë e treguesve makroekonomikë deri në zgjedhjet e 28 qershorit. Por në kushtet e një situate të krizës financiare dhe ekonomike globale kjo nuk është thjesht një përkeqësim i përkohshëm (vetëm 2-3 mujor i treguesve makroekonomikë). Ajo rrezikon stabilitetin 10-vjeçar makroekonomik të arritur më shumë mund e sakrifica. Presidenti amerikan Obama në përgjigje të pyetjes së gazetarit shqiptar për ekonominë shqiptare, i cili flet për brishtësi të gjendjes ekonomike financiare në Ballkan dhe për faktin se kriza financiare globale rrezikon të ketë jo vetëm pasoja financiare ekonomike por dhe sociale e politike sidomos në vendet në zhvillim. Banka e Shqipërisë, organet shtetërore, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ministrinë e Financave, Ekonomisë etj duke iu përgjigjur situatave të krizës ta përmirësojnë dhe ta përshpejtojnë këtë informim të publikut .

2. Propoganda e sotme qeveritare rreket të na bindë se rritja e të ardhurave është realizuar në kushtet e taksave të ulta
Efekti i kredidhënies dhe për rrjedhojë dhe ai i rritjes ekonomike normale,natyrisht që ka dhënë efektet e veta poztive në rritjen e të ardhurave, por përkundrej nga sa pretendohet për taksa të ulta realiteti flet ndryshe. Për këtë duhet një analizë objektive mbi efektet e politikës së uljes se tatim taksave. Të dhënat tregojnë se faktorët kryesorë të rritjes të të ardhurave buxhetore janë a)rritja e tatimit mbi të ardhurat personale dhe b)të ardhurat nga rritja e akcizës.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë rritur nga 8.6 miliard lekë në vitin 2006 në 24. 4 miliard lekë në vitin 2008. Pra megjithë propogandën e qeverisë se rritja e të ardhurave nga taksa e sheshtë ka ardhur nga ulja e informalitetit (çka megjithatë nuk demostrohet me të dhëna konkrete), punonjësit me të ardhura të ulta (që tatoheshin më pak se 10% para vendosjes së taksës së sheshtë) janë kontribuesit e rritjes së të ardhurave në vitin 2008 me rreth 16 miliard lekë më shumë se në vitin 2006. Këtë e pohon edhe Kryetari i Dhomës Kombëtare të prodhuesve të veshjeve në një prononcim publik kur thotë: “Kulmi arriti në reformën fiskale e më saktë, në vendosjen e taksës së sheshtë, e cila vazhdon të trumbetohet si arritja më e madhe e kësaj qeverie. Dhe vërtet është! Por efektin e ka pasur në bizneset fitimprurëse dhe, e thënë më trashë, është aplikuar për interesa të caktuara të personave që kanë të pleksur pushtetin politik me atë ekonomik.”(Tema 31 mars 2009)
Ndërsa të ardhurat nga tatim fitimi mbi të cilin aplikohet taksa e sheshtë kanë rezultuar me ulje në vitin 2008 kundrejt vitit 2006. Konkretisht nga rreth 22 miliard lekë në vitin 2006 ranë në rreth 18 miliard lekë në vitin 2008. Pra përfituesit e taksës së sheshtë janë siç thotë edhe përfaqësuesi i biznesit i cituar më sipër, bizneset fitimprurëse që kontribuan rreth 5 miliard lekë më pak në buxhet se dy vjet më parë. Një faktor tjetër i rritjes së të ardhurave është rritja e akcizës së karburantit. Konkretisht akciza për gazoilin është rritur nga 27 lekë në vitin 2007 në 37 lekë në vitin 2009, pra kemi një rritje prej 37%. Në kushtet kur cmimi i karburantit ra në një nivel kur akciza ishte rreth 37 lek, qeveria mori masën për fiksin e saj në 37 lek për litër. Pra akciza ëhtë rritur nga 27 në 37 lek ose 137 përqind
Një situatë e tillë po shoqërohet me vështirësi reale në mjaft sektorë si ai i ndërtimit fasonistëve, ekportuesit e mineraleve etj Kjo është shoqëruar edhe me shtimin e falimentimit të firmave. Rritja e falimentimit të firmave dhe papunësisë po shoqëron rënien e aktivitetit ekonomik dhe tregtar. Rënia e investimeve siç e shprehin treguesit e zvogëluar të importeve të dhëna më sipër patjetër ka sjellë ulje në sektorët e prodhimit dhe të ndërtimit megjithëse të dhënat zyrtare mungojnë apo dalin shumë vonë. Edhe rënia e eksporteve është shoqëruar me rritjen e papunësisë në sektorët që prodhojnë për eksport kryesisht atë të mineraleve dhe material porositësi apo tekstile sipas të dhënave të shoqatës së fasonistëve apo me material porositë kriza ka dhënë efekte në këtë sektor që punëson rreth njëqind mijë punëtorë.dhe jep 54% të eksporteve të vendit duke përbërë një ndër aktorët kryesorë që fusin valutë të huaj në vend. Deri tani janë shkurtuar 10% të punëtorëve të këtij sektori, por numri i punëtorëve të shkurtuar sa vjen e rritet, sepse shumë ndërmarrje po mbyllin aktivitetin, apo kanë përgjysmuar prodhimin, si rezultat i krizës në vendet ku ata eksportojnë.
Po kështu kërkon analizë rritja e të ardhurave nga TVSH. Të ardhurat nga ky lloj tatimi janë rritur dukshëm. Por faktori kryesor ka qënë rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe referencave përkatëse
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë rritur si rezultat i efektit të rritjes së pagave bruto. Por do theksuar se kjo politikë është shoqëruar me një rritje galopante të deficitit të sigurimeve shoqërore. Nëse deficiti i sigurimeve shoqërore ishte 20 760 milion lekë në vitin 2006, ky deficit arriti 28 613 milion lekë në vitin 2008,kurse në vitin 2000 ishte 11322 milion lekë. Pra ulja e sigurimeve shoqërore është bërë duke rrezikuar keqas skemën e sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve për të ardhmen. Prandaj politika e qeverisë për uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore,më shumë se lehtësimin e biznesit, duhet të garantojë me transparencë pensionet për të ardhmen.
Sidoqoftë një situatë e tillë kërkon një informacion të shpejtë, objektiv mbi falimentimet dhe papunësinë. Mbas një deklarimi të QKR mbi shtimin e falimentimeve gjatë dy mujorit të parë, pati një angazhim të Televizionit Publik Shqiptar për të zhbërë këtë informacion. Prandaj QKR duhet të publikojë ecurinë e falimentimeve gjatë tremujorit të parë në vendin tonë. Të njëtën gjë duhet të bëjë dhe INSTAT për punësimin duke iu referuar dhe burimeve të tjera si ai i sigurimeve shoqërore –tatimeve.

SipërEmail Printo