I nderuar zoti i burgosur me vendim te formës së prerë,


Nga: Lorenc Vangjeli

Për dy vjet ai është quajtur me titullin “kriminel dhe kokë e krimit të organizuar” nga të gjithë burrat e gratë demokratikë të Kuvendit. Mbrojtja e tij me Aldo Bumçin përballë Aldo Bares apo Lul Berishën përballë Lul Bashës, nuk piu ujë sepse rrëketë e akuzave që ju derdhën ishin të tilla sa cilido nga ju, përballë Dhori Sollakut do të ngjante një ëngjëll i pafajshëm


I nderuar? Zotëri? Me siguri kjo formë mirësjelljeje me të cilën revista jonë po të drejtohet mund të të bëjë përshtypje. Shpresoj te jetë përshtypje e mirë si ato që lenë gjithmonë gjerat e rralla dhe jam i sigurt se shumë rrallë, për të mos thënë asnjëherë, nuk të janë drejtuar në këtë formë që nga koha kur apartamentit tënd ja paguan shteti qeranë. Por këtë javë ka një arsye më shumë për të pasur më shumë respekt për ty dhe për të të dërguar një ngushullim nga larg. Sepse kjo javë, por dhe ajo që iku, të la ty dhe sivëllezërit e fatkeqësisë tënde pa shefa të drejpërdrejtë. Iku ministri i drejtësisë, iku drejtori i përgjithshëm i burgjeve, iku dhe drejtori i policisë që ju ruante në qelitë tuaja. Por meqënëse e keqja nuk ka fund, po javën që shkoi, Kuvendi votoi që të ikë dhe njeriu që ligjërisht ka kërkuar dënimin tuaj në gjykatë, prokurori i përgjithshëm. Kështu, pra, si pa kuptuar për të gjithë ju është krijuar një situatë jetimoreje, sepse ju nuk dini tashmë se kush do t´ju “udhëheqë” nesër e tutje. Megjithatë, kjo nuk besoj se duhet të jetë një problem i madh për ju. Të gjithë ju keni të gjithë kohën e domosdoshme, madje më shumë sesa duhet, për të gjetur një fill të këtij lëmshi të ngatërruar hierarkie dhe për të gjetur se ku ndodheni ju në këtë lëmsh.
Të drejtat tuaja si të dënuar janë të qarta dhe Evropa është mësuar me vite që ta masë temperaturën demokratike të shoqërive që rendin drejt demokracisë duke u nisur dhe nga sa orë shëtitje bëni ju në oborrin e burgut apo sa informoheni me anë të televizorit ose gazetave aty ku ju është privuar liria e lëvizjes, por jo liria e të gëzuarit të të drejtave njerëzore. Këtu puna nis e ngatërrohet. Dhe këtu debati mes jush për koncepte më thella dhe të gjera filozofike bëhet vërtet i nxehtë. Të marrim të fundit që përmendëm si shembull të parë: Prokurori i Përgjithshëm. Në mos me dorën e tij, me dorën e vartësve të tij është shënuar rast pas rasti dhe absolutisht në cilindo rast të dënimit tuaj, dënimi juaj. Por javën e shkuar, më shumë se gjysma e Kuvendit votoi që kryeprokurori e ka bërë keq detyrën e tij. Madje edhe më shumë akoma. Për dy vjet ai është quajtur me titullin “kriminel dhe kokë e krimit të organizuar” nga të gjithë burrat e gratë demokratikë të Kuvendit. Mbrojtja e tij me Aldo Bumçin përballë Aldo Bares apo Lul Berishën përballë Lul Bashës, nuk piu ujë sepse rrëketë e akuzave që ju derdhën ishin të tilla sa cilido nga ju, përballë Dhori Sollakut do të ngjante një ëngjëll i pafajshëm. Por ai është jashtë dhe ju jeni brenda edhe sepse nesër dora që e plagosi mund ta shërojë, balta që ju hodh mund të shpëlahet nga dora që e hodhi dhe gjuha që qëlloi mund të kthejë drejtim dhe të kujtojë se në fushatë elektorale, pranohet dhe ndonjë gënjeshtër e vockël. Po të ishte dhe anëtar i PS-së dhe të kërkonte kreun e saj, Dhori Sollaku do ta kishte të garantuar këtë të nesërme me indulgjencë të firmosur nga kryedemokrati shqiptar.
Po e njëjta situatë edhe për tre zyrtarët e lartë të ministrisë së drejtësisë duke nisur me drejtuesin më të lartë të saj, ministrin. Edhe ata, por me zjarr të kryqëzuar kundër njëri-tjetrit, e bënë copë njëri-tjetrin dhe përfunduan të gjithë me dorëheqje. E di që këtu arsyetimi juaj do të ndërlikohet. E di që edhe koha, e vetmja që e keni në dispozicion me shumicë në qelitë tuaja, nuk do të ishte e mjaftueshme për të gjetur një arsye të qartë sepse është kaq e padrejtë kjo botë. Se pse ju jeni atje, dhe po t´i besohet televizorëve dhe gazetave, ngjani me ëngjëj të pafajshëm, qoftë kur keni vjedhur një celular tek tregu apo keni hyrë pa trokitur në shtëpinë e fqinjit kur ai nuk ndodhej brenda? Kushedi? Kjo është një botë e ndërlikuar. Dhe që të jeni edhe më të qetë me veten, mjafton të kujtoni edhe se politika, si një kur... e mirë, ka gjithmonë një ngushullim të mjaftë për klientët e saj. Vetëm se shtratin e ka pak të fortë. Nuk ka gjithmonë susta që të hedhin përpjetë, ka dhe gropa që të lëshojnë të biesh tatëpjetë.