I nderuar zoti drejtor,


Nga: Lorenc Vangjeli

E kuptoj se je në situatë të vështirë. Tirana mund të ta japë sërish dorën dhe të fajësojë viktimën e rradhës që u vetvra me qindra tonë mineral mbi shpinë


Nuk dua të të drejtohem me emër sepse dua të shfrytëzoj vetëm adresën tënde për të të dërguar këtë letër që nuk të përket vetëm ty, por gjithë atyre burrave si ty dhe përreth teje që duan të nxjerrin krom në Bulqizë. Ca si ti nga sipërfaqja dhe ca nga brenda galerive të errëta. Në fillim ishin dy, pastaj u bënë tre dhe këtë javë edhe një i katërt i vdekur në minierën që ju keni marrë me koncesion. Dhëntë Perëndia që vdekja të jetë e kënaqur vetëm me këto paralajmërime dhe të mos sjellë paralajmërime të tjera të tilla jo vetëm në Bulqizë. Sepse aty sillen mbi rrugët e ngushta dhe pluhurin e kuq të qytetit qindra burra, baballarë familjesh që e nxjerrin bukën e fëmijëve të tyre duke u futur nën tokë. Edhe pse e dinë se të gjithë aty do të përfundojnë një ditë, fjalia e akullt dhe sterile, “mungesa e kushteve të sigurisë teknike në punë”, i dërgon nën tokë pa kthim shumë më shpejt sesa do ta bënte pleqëria dhe natyra.
Çmimi i kromit që dikur çante bllokadën është rritur në tregjet dhe bursat ndërkombëtare. Që do të thotë se koncesioni që ju keni marrë përkundrejt ca parave dhe premtimeve për të hedhur më shumë para dhe siguri në minierën e vjetër, është bërë më i vlefshëm dhe se ju futni ca më shumë para në xhep. Dhe kjo është e kuptueshme, e drejtë dhe morale. Por e pakuptueshme, e padrejtë, jo morale dhe mbi të gjitha kundër ligjit, është vdekja që vjen nga thellësitë e minierës ku fle minerali i pasur që dikur prisnim ta bënte gjithë Shqipërinë të pasur, ndërsa sot, t´i japë pak bukë njerëzve të varfër të kësaj zone. Të cilët nuk kanë shumë alternativa, ose të hyjnë në galeritë e akullta, ose të mbajnë akull të ftohtë dollapet e bukës nëpër shtëpitë e tyre. Dhe nuk ka asnjë dilemë për mënyrën sesi ata e kanë zgjidhur dhe do ta zgjidhin dhe në të nesërmen këtë dilemë. Pra, gjysmën e segmentit ju e keni të njohur, kurrë nuk do t´ju mungojnë njerëzit që do të jenë të gatshëm të punojnë me ju. Problemi shtrohet në gjysmën tjetër të problemit, sa të gatshëm do të jeni ju që mbasi ata të hyjnë në galeri, të kenë sigurinë se do të dalin prej andej me këmbët e tyre dhe jo të mbështjellë me batanije. Këtë nuk e keni thënë, këtë nuk po e bëni. Këtë nuk po duket se po ju detyrojnë ta bëni. Sepse në Tiranë është shumë e lehtë që dhe vaji për një vdekje të parakohshme të vijë si një numër i ftohtë statistike dhe të shihet në mënyrë të akullt po si statistikë. Një është shumë, katër e më tepër janë vetëm numra, ky është rregulli kriminal që përjashton dhe nuk përforcon të kundërtën në Shqipëri.

I nderuar drejtor,
E kuptoj se je në situatë të vështirë. Tirana mund të ta japë sërish dorën dhe të fajësojë viktimën e rradhës që u vetvra me qindra tonë mineral mbi shpinë. Kështu mund të ndodhë dhe nesër dhe për këtë të jeni të sigurtë. Tirana është për një politikë mbrojtëse ndaj biznesit, për inkurajimin e biznesit, për t´i dhënë lehtësi biznesit nga ato që kushtojnë më shumë se një euro. Jeni ju, pjesë e këtij biznesi me rrisk të lartë, që do të vendosni nëse do të rrezikoni ndonjë euro më shumë për të ulur rriskun e atyre që punojnë në biznesin tuaj. Edhe pse tani është rritur çmimi i bukës dhe një e tillë me rriska kushton rreth gjysëm euro. Nëse keni mundësi, bëjeni! Quheni dhe sevap, po të doni!