Nga: Njazi Jaho
Kolegji Zgjedhor me vendimin e tij urdhëron zgjerimin e hetimit administrativ duke evidentuar në të njëjtën kohë edhe qëndrimet e njëanshme dhe selektive të KQZ-së. Në vendimin Nr. 67 datë 13-06-2011 thuhet se hetimi administrativ duhej zgjeruar, se kolegji çmon të bazuar pretendimet e palës paditëse (PS-së) për cenimin e standardeve kushtetuese dhe të së Drejtës për një proces të rregullt ligjor. Kjo në fakt është kritikë e rëndë ndaj KQZ-së që me veprimet e saj krijonte mosbesim tek palët
Para disa ditëve u njoha me përmbajtjen e Vendimit Nr. 81 datë 8-07-2011 të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. Para zbardhjes së këtij vendimi nuk arrija të kuptoja përse ishte refuzuar kërkesa e palës së interesuar (PS-së) për pavlefshmëri të zgjedhjeve. Nëpërmjet shtypit u informova se PS-ja kishte humbur ‘shansin’ e ankimit qysh në maj 2011, mbas vendimit që miratoi tabelën përmbledhëse të rezultateve dhe që nxirrte fitues z. Basha (Vendim dt. 23-05-2011 që PS-ja duhet të ankimonte dhe të kërkonte pavlefshmëri deri më datë 26-05-2011). Të them të drejtën nuk e kisha të qartë problemin dhe dyshova për bazueshmërinë e këtij vendimi.
Procesi ishte në vazhdim. PS-ja në atë kohë kishte shprehur kundërshtimet e saj ndaj një akti që urdhëronte numërimin dhe vlerësimin e hedhur në kutitë jo përkatëse dhe që KQZ-ja e miratoi me 4 vota. Pala e interesuar (PS-ja) e atakoi këtë akt (Vendimin) në Kolegjin Zgjedhor dhe kërkoi që ai si akt normativ që ishte të deklarohej absolutisht i pavlefshëm. Por kolegji me vendimin e tij më Nr. 49 e konsideroi atë akt individual, të ligjshëm edhe pse ishte miratuar me 4 vota.
Pra PS-ja nuk kishte pse më të njëjtën kohë të kërkonte si pavlefshmërinë e zgjedhjeve edhe pavlefshmërinë absolute të vendimit të KQZ-së. Nëse Kolegji do ta pranonte kërkesën e PS-së situata do të ndryshonte në mënyrë rrënjësore.
Refuzohet kërkesa për pavlefshmëri
edhe nga Kolegji Zgjedhor
Kërkesa e subjektit zgjedhor (PS) kundër qëndrimit të KQZ-së, që nuk kishte marrë vendim lidhur me kërkesën e saj sidomos për pavlefshmëri e zgjedhjeve, Kolegji e refuzoi me të njëjtin arsyetim që kishte bërë KQZ-ja. Në vendimin Nr. 81 të Kolegjit thuhet: ”Kolegji Zgjedhor çmon se me daljen e vendimit të KQZ-së N. 711 datë 23-5-2011 që ka vendosur miratimin e tabelës së rezultateve dhe ka shpallur kandidatin fitues dhe me mos ankimimin e tij, paditësit i ka humbur e drejta për kërkimin për pavlefshmëri së zgjedhjeve” dhe më poshtë: Kalimi i afatit të tre ditëve sjell rënien në dekadencë të së drejtës së subjektit zgjedhor për të ushtruar ankim, apo për të kërkuar pavlefshmëri”. Kolegji Zgjedhor në këtë rast nuk pati parasysh se me vendimin Nr. 67 të Kolegjit Zgjedhor KQZ-ja ishte urdhëruar të kryheshin hetime të mëtejshme administrative. Kolegji nuk mori në shqyrtim dhe nuk ju përgjigj pretendimeve të parashtruara nga pala paditëse.
Ka rëndësi njohja me vendimin Nr. 67 datë 13-06-2011
Subjekti zgjedhor (PS-ja) i është drejtuar Kolegjit, veç të tjerave me kërkesën për të anuluar si të paligjshëm pikat 2 dhe 3 të vendimit N. 827, dt 2-06-2011 të KQZ-së. Kolegji vendosi të pranojë këtë kërkesë. Po çfarë thuhet në pikat 1 dhe 2 të vendimit të mësipërm? KQZ-ja kishte rrëzuar kërkesën ankimore të PS-së me objekt kundërshtimin e vendimit nr. 710 datë 23-05-2011 për nxjerrjen e rezultateve të votimit për kryetar për ZAZ-së N. 49, si edhe kërkesën ankimore po të PS-së me objekt kundërshtimin e vendimit Nr. 711 d. 23-05-2011 për nxjerrjen e rezultateve për kryetar për zonën zgjedhore Bashkia e Tiranës (Siç u përmend më lart me vendimin e KQZ-së Nr. 711 d. 23-05-2011 ishte miratuar tabela përmbledhëse që shpallte fitues z. Basha).
Kjo do të thotë se me këtë rast Kolegji e konsideron të gabuar dhe të kundraligjshëm refuzimin e kërkesës së PS-së që kishte atakuar edhe vendimin Nr. 711- Si mund ti thuhet paditësit (PS-së) se megjithëse Kolegji pranoi kërkesën tënde lidhur me rezultatin e miratuar me vendimin 711 duhej të kishe kërkuar edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Rezultati i tabelës së mësipërme përmbante të dhënat që kishin dalë nga 117 kutitë.
Kritika të ashpra të Kolegjit ndaj KQZ-së
Kolegji zgjedhor me vendimin e tij urdhëron zgjerimin e hetimit administrativ duke evidentuar në të njëjtën kohë edhe qëndrimet e njëanshme dhe selektive të KQZ-së.
Në vendimin Nr. 67 datë 13-06-2011 thuhet se hetimi administrativ duhej zgjeruar, se kolegji çmon të bazuar pretendimet e palës paditëse (PS-së) për cenimin e standardeve kushtetuese dhe të së Drejtës për një proces të rregullt ligjor. Kjo në fakt është kritikë e rëndë ndaj KQZ-së që me veprimet e saj krijonte mosbesim tek palët.
Nxjerrja e tabelës përmbledhëse thuhet në vendimin e kolegjit, nuk është në përputhje me hapat procedurale, por ‘ekstraproceduriale’. Kjo do të thotë se kolegji konfirmon faktin se është KQZ-ja që vepron në kundërshtim me procedurën ose pa u mbështetur në ligje.
Kolegji ka evidentuar faktin se ka mospërputhje shifrash “që konsiston në faktin se votat e gjetura në kutitë e votimit janë në numër më të madh se numri i zgjedhësve që kanë votuar”.
Në vendim thuhet se” kjo ka cenuar parimin një zgjedhës një votë”. Vendimi vazhdon: “Pala e paditur”, KQZ-ja nuk ka pasur parasysh dhe nuk ka vlerësuar drejt garancitë ligjore të palëve”. Kolegji konstaton se KQZ-ja ka zbatuar procedura të ndryshme gjatë të njëjtit proces. Në vendimin e mësipërm të kolegjit është urdhëruar “të verifikohet lëvizja e fletëve të votimit nga një kuti votimi në tjetrën, të mundësohej zgjidhja e mospërputhjes së të dhënave në tabelën përmbledhëse të të gjithë votave” sepse “kjo do të garantonte barazimin e votës”.
Kolegji Zgjedhor urdhëroi që të shtrihej hetim administrativ edhe në 368 Qendra Votimi. Kolegji theksin e vë tek mospërputhjet, me qëllim që të arrihet në një tabelë përmbledhëse ku për çdo votë të tepërt ose të mangët të jepen sqarimet përkatëse aq më tepër kur numri i fletëve të votimit rezulton të jetë më i madh se i atyre që kanë votuar.
Kjo shtrirje relativisht kaq e madhe e hetimit administrativ do të shoqërohej patjetër me një tabelë përmbledhëse, ndërsa të dhënat e rezultuara nga hetimi i 117 kutive, do të kushtëzohej nga të dhënat e nxjerra në tërësi të këtij hetimi.
Edhe sikur të pranohej për një çast se pala e interesuar nuk respektoi afatin ligjor për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve brenda 3 ditëve nga vendimi datë 23-05-2011, në kushtet kur kolegji anuloi disa vendime të KQZ-së, kur urdhëroi shtrirjen e hetimeve, vendimi i datës 23-05-2011 kishte rënë nga fuqia. Do të ishte absurde të shtrohej çështja që paditësi (PS) kërkesën për pavlefshmëri ta kërkonte menjëherë mbas datës 23-05-2011 (deri më datën 26-05-2011) dhe mbas përfundimit të hetimit administrativ që përfundoi me një tabelë të re, të kundërshtonte edhe këtë vendim dhe për pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Në fakt, ky vendim i fundit u kundërshtua por kolegji legjitimoi arsyetimin e KQZ-së lidhur me këtë çështje.
Përse KQZ-ja dhe Kolegji janë në unision
Kolegji Zgjedhor është i ndërgjegjshëm së KQZ-ja vetëm pjesërisht kishte zbatuar detyrat e tij, konkretisht hetim administrativ vazhdoi, por mospërputhjes së shifrave nuk ju dha rrugë zgjidhje se KQZ-ja dhe Kolegji ‘u kënaqën’ dhe ‘u justifikuan’ me të ashtuquajturën “gabim njerëzor” megjithëse duhej të sqarohej shkaku i këtij gabimi. Mirëpo pikërisht mospërputhja e shifrave krijoi konfliktin, dyshimin, mosbesimin. Kjo çështje duhej zgjidhur nga KQZ-ja dhe Kolegji zgjedhor. Në fakt nuk u zgjidh. Po pse? Mund të mendohet se shqyrtimi i kësaj çështjeje do të çonte në shqyrtimin në themel të problemit dhe si për pasojë mund të bënte të pranueshme kërkesën për pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Kjo duhej shmangur dhe për këtë duhej vula e Kolegjit Zgjedhor.
Nuk do të ishte ndonjë tragjedi edhe sikur zgjedhjet të përsëriteshin në të gjithë Tiranën pavarësisht se kush do të ishte fitues dhe kush humbësi.
Në një proces të rregullt ligjor humbja duhet pranuar.
Mund të ketë raste (siç ishte edhe rasti i Tiranës) që pavarësisht nga interesat apo dëshirat e palëve të interesuara, që KQZ-ja edhe me nismën e vet mund të urdhërojë pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Qendrat e Votimit të caktuar ose në zona të caktuara. Kjo do të rriste reputacionin e një organi që më ligj është ngarkuar të drejtojë dhe kontrollojë procesin zgjedhor me paanshmëri dhe transparencë.
Në përfundim, me keqardhje mund të thuhet se mos zbatimi rigoroz i ligjit nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor ka ndikuar negativisht në integritetin e zgjedhjeve sidomos mbas datës 14 maj 2011.
Zgjedhësit janë të paqartë dhe të dëshpëruar për atë që ndodhi (Nuk është fjala këtu për militantët partiakë).
Zgjedhësve u kanë bërë përshtypje dy deklarata të ditëve të fundit: ajo e z. Countryman që u shpreh se kishim dhe vazhdojmë të kemi dyshime për numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kuti të gabuar si edhe të zëdhënëses së Catherine Ashton që deklaroi se edhe mbas zbardhjes së vendimit të Kolegjit, arsyetimin e tij, nuk i zbuti dyshimet për mënyrën sesi u menaxhua procesi nga ana proceduriale.
Duket se ndërkombëtarët ditët e fundit e përqendruan vëmendjen në Kolegjin Zgjedhor sepse ata çmojnë pavarësinë e organeve gjyqësore. Kjo edhe për faktin se vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë.
Duke u njohur me deklaratat e mësipërme nuk e di si mund të ndjeheshim anëtarët e Kolegjit Zgjedhor.
Kam parasysh se në këto detyra ata janë zgjedhur jo me propozimet e partive përkatëse parlamentare siç ndodh me anëtarët e KQZ-së.