Nga: Mustafa Nano
Regjisori i njohur Arben Kumbaro mendon se gjuha shqipe
është pasuria më me vlerë që ka kombi shqiptar. Ai shprehet
se harmonia fetare është një realitet që meriton respekt
1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Në një marrëdhënie personale Zoti ekziston, nëse unë kam vullnetin e mirë të besoj se jam krijesë e tij. Këtë ndjesi e kam përjetuar jo pak herë në jetën time…
2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Është pasuria më e vlertë që ka Kombi ynë. Mjafton të thuash që është një nga tetë degëzimet kryesore dhe autentike të gjuhëve Indo-Europiane që është dhe grupimi më i madh i gjuhëve që flet pothuaj gjysma e njerëzimit. Në mozaikun e diversitetit kulturor ka të njëjtën peshë dhe vlerë si të gjitha gjuhët e tjera. Nga ana tjetër, në raport me informacionin dhe mundësitë e shfrytëzimit të tregut të informacionit që ajo ofron është një gjuhë shumë e limituar krahasimisht me shumë gjuhë të tjera të kontinentit të vjetër.
3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Njerëzit janë komplementarë midis egos personale dhe egos kolektive të grupit. Pozicioni i artë i balancës midis tyre prishet dhe shprishet vazhdimisht në raport me prirjet pozitive dhe negative të individit dhe të grupit. Të mos harrojmë se profesioni më i lashtë në botë dhe që përfshin gjithë spektrin e racës njerëzore është ai i të qenit gjuetar.
4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
Në termat e kulturës mediatike, program “Big Brother” konsiderohet “Soft Porno”, ku një nga elementët më të prekshëm është “vuajarizmi”. Për këtë arsye nuk do doja që fëmija im të ishte pjesë e këtij spektakli. Në fund të fundit kjo është një çështje perceptimi dhe koncepti për zgjidhjet në jetën time, përderisa kam detyrime në edukimin e fëmijës tim.
5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Deri tani është një realitet që meriton respekt. Shoqëria jonë, politika, intelektualët e kanë për detyrë të shenjtë ta maksimalizojnë këtë bashkekzistencë paqësore.
6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Do preferoja të flisja më tepër për rrënjët e konfliktit kulturor midis nesh. Për unitetin është folur përherë, me tepri madje. Për gjysëm shekulli shqiptarët e Shqipërisë kanë jetuar në një izolim ekstrem me botën dhe kulturën botërore duke u abuzuar pafundësisht me atë që konsiderohej kulturë kombëtare në komunizëm. Si pasojë, në ambicjet dhe përpjekjet tona për kulturë në këto njëzet vjet ka një vektor mbizotërues energjish nga brënda-jashtë duke përdorur ato në atë se çfarë është bota jashtë dhe cilat janë kulturat e të tjerëve. E kundërta ka ndodhur me shqiptarët e Kosovës. Në historinë e tyre moderne atyre iu mohua identiteti kombëtar dhe për pasojë kultura kombëtare. Atyre iu imponua kultura si produkt emigracioni, pra kultura e të tjerëve. Vektori i energjive të tyre krijuese ndryshe nga ne ka qenë drejtuar në të kundërtën tonë, nga jashtë-brënda. Këto burime energjish krijuese me kahje të kundërta zhvillimi për epokën që jetojmë them se përbën thelbin e asaj që në rastin më të mirë do ta quaja ndryshim kulturor midis Shqipërisë dhe Kosovës.
7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Djali im….
8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Ndodh kudo. Që nga Roma e lashtë kjo është një histori që ka ndodhur pafundësisht. Ajo që ka ndryshuar dhe do vazhdojë të ndryshojë janë format e realizimit të këtyre vrasjeve….Për ta vërtetuar këtë mjafton të shikoni filmat kiç që prodhon Hollivudi sot, apo serialët televizivë të medias amerikane mbushur me vrasje dhe eleminim presidentësh dhe politikanësh të nivelit të lartë…..
9. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
“Lufta Nacionalçlirimtare” ka pasur elementë të luftës civile për shkak të bashkëpuntorëve me pushtuesin. Por cila luftë Nacionalçlirimtare nuk ka pasur elementë të tillë në historinë e njerëzimit. Ndarjet ideollogjike për Shqipërinë e pasluftës në dijen time nuk kanë luajtur ndonjë rol vendimtar në ndarjet mes Shqiptarëve në periudhën e luftës…
Ndarja kryesore ka qenë për shkak të rrugëve që duheshin ndjekur për zgjidhjen e çështjes kombëtare: Me apo pa bashkëpunimin me okupatorin… Gjatë luftës nuk ka pasur një debat esencial apo vijë demarkacioni për konflikt civil në ndasitë e këtyre forcave mbi domosdoshmërinë apo jo të vendosjes së Diktaturës Komunste mbas çlirimit të vendit nga okupatori. Mbi të gjitha nuk kishte asnjë referencë në historinë e Europës se si do ndahej pushteti kur të mbaronte lufta që të bëhej shkak e shembull që të ndërtohej konflikti civil mbi këtë bazë. Europa po e jetonte për herë të parë këtë histori dhe Lavdi Zotit të vetmen herë.
10. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Asnjë arritje. Nëse do ishin shpenzuar në liri, energjia, mundi dhe sakrifica e popullit shqiptar, në këto pesëdhjetë vjet rezultatet do ishin të pakrahasueshme me atë që trashëguam në 90-ën.
11. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
Me partizanët.
12. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
I qortueshëm.
13. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Nuk do ta pengoja. Por përpara saj, në mënyrë që kjo gjë të mos keqkuptohej, në shqip duheshin përkthyer shumë gjëra të tjera pasuri e kulturës njerëzore. Kultura shqiptare ka një bosh të madh në këtë drejtim…
14. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Njerëzit më të rëndësishëm të profesionit tim në botë, si Piter Brook, Arian Mushkin, Peter Sellars etj.
15. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Rebelim ndaj abuzimit me pushtetin.
16. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
Nuk mund të pyesësh një mendje gjakftohtë se çfarë do bënte në gjaknxehtësi e sipër. Ai është momenti kur njeriu konvertohet në instiktet bazike të kafshës në vetmbrojtje. Këtë gjë e parashikon shumë mirë dhe mjekësia ligjore ndaj krimit.
17. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Padyshim që jemi brenda kufijve të kontinentit të vjetër por nuk ndajmë të njëjtën histori dhe kulturë me atë që quhet Europa e Krishterë.
18. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
Në marshimin e Martin Luter Kingut dhe fjalimin e tij në Washington DC.
19. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Me Faik Konicën.
20: Cili është libri që po lexoni?
Kujtimet e Xhorxh Tenet-it, ish drejtorit të CIA-s.
21. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Franca.
22. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
Kam pasur një mik në Francë. Një nga mjekët më të njohur ortopedë në botë. Një nga njerëzit më të e emancipuar e më me sqimë që kam njohur në jetën time. Ai kishte gjithshka në jetë, pasuri, famë dinjitet, i kulturuar sa s’bëhet. Gjithshka që mund të ëndërojë çdonjeri nga ne. Vajzën e tij e kisha aktore në grupin e aktorëve me të cilët punoja në Comedie de Caen. Një ditë e takoj rastësisht doktorin. Kishte pirë alkol sa mezi e mbanin këmbët dhe po çapiste në një nga rrugicat e gurta të qytetit, në lagjen e vjetër. Më takoi dhe vura re se i kishte mbushur sytë me lot. Nuk më tha asgjë vetëm më pyeti si ja kaloja dhe si ishte time shoqe ngaqë ajo ishte shtatzënë. Unë kisha ngelur pa gojë ngaqë nuk ma merrte mendja kurrë se do ta shihja Doktor Obriotin në atë gjëndje, një ditë. Dy ditë më pas gruaja e tij i kishte thënë time shoqeje se atë ditë që kisha takuar doktorin në gjendje të pirë vajza e tyre ju kishte thënë se ishte homoseksuale dhe donte të bashkëjetonte me një shoqen e saj. Unë nuk dija si ta komentoja këtë fakt me Mirelën, gruan time. Kjo është dhe arsyeja që nuk po bëj tani asnjë koment personal mbi këtë pyetje. Nuk di sa i vërtetë jam... Gjatë gjithë këtyre viteve unë kam pyetur shpesh për miqtë e mi në Francë, se si janë dhe çfarë bëjnë. Ata kanë patur dhe shumë ditë të lumtura dhe ditë të trishta si të gjithë njerëzit në botë. Por unë nuk i harroj sytë e përlotur të Doktorit atë prag muzgu në një nga rrugicat e gurta të Caen-it në Normandi…
23. Keni frikë nga vdekja?
Jo, por më pëlqen shumë shprehja “jetoje ditën si ditën e parafundit të jetës tënde”
24. Ç’është Atdheu?
Kujtimet që më lidhin me gjërat që njoh më mirë se gjithshka në jetë…