Nga: Pre Zogaj
Përveçse psikologjik, “Vajza e prapë” është një roman i ndjerë, prekës, realist dhe njerëzor për trajtat dhe kthesat e çuditshme të dashurisë në një marrëdhënie sa tipike aq edhe unikale mes një burri dhe gruaje
Dy numra më parë i paraqita lexuesit të respektuar të kësaj rubrike romanin “Festa e Ciapit” të shkrimtarit nobelist peruan Maria Vargas Llosa. Me ndjesen e “prishjes së radhës” për autorë, vepra dhe shtëpi të tjera botuese, po zgjedh pa u vunuar me dashje një libër tjetër të Llosës, romanin “Vajza e prapë”, përkthyer nga spanjishtja prej të njëjtit përkthyes- Bajram Karabolli- dhe botuar po nga “Skenderbeg books”.
Kjo parantezë ndoshta nuk është nevojshme. Librat e bukur e prishin vetë radhën dhe detyra ime është të respektoj sa të kem mundësi garën në vetvete të veprave dhe autorëve. Jam i bindur se “Vajza e prapë” është një roman i mrekullushëm në të gjitha pikpamjet. Në stendat e botimeve të fundit në gjuhën shqipe, ai qëndron me dinjitet përkrah romaneve “Një dashuri” të Dino Buxatit, “Aksidenti” të Ismail Kadaresë, “Ha, lutu dhe dashuro” të Elisabeth Gilbertit - për tu kufizuar me krahasime dhe pranëvënie brënda llojit. Pasi, ashtu si tre titujt në fjalë , “Vajza e prapë” është një roman për dashurinë, për ndriçimin dhe terrin e saj, për lumturinë dhe vuajtjen e saj, për irracionalitetin e saj të jashtëm, por që ka gjasa të jetë shprehje e një arsyeje të thellë që nuk e përkufizojmë dot.
***
Në një pikpamje dashuria ngjan me poezinë për të cilën një kritik amerikan ka thënë shprehjen e famshme “unë nuk e di se çfarë është, por mund ta dalloj kur e shoh”. Ç’është në të vërtetë dashuria? Askush nuk e di, por sekush tregon të vetëm. Nga ky rrëfim i pambaruar arrijmë të kuptojmë diçka me shumë nga misteri i saj. Arrijmë të kuptojmë gjithashtu se çfarë është një histori e vërtetë dashurie dhe çfarë është një lidhje çfarëdo. Rikardoja, personazhi i romanit “Vajza e prapë” tregon në veten e parë një histori apo më saktë një dramë dashurie, që shtrihet në kohë që nga mosha e tij e adoleshences deri në prag të pleqërisë. Kjo është historia e tij e dashurisë me një vajzë nga Peruja, e cila ka braktisur qysh herët emrin e saj të lindjes për të vijuar deri në fund të jetuarit brënda një metamorfoze të vazhdueshme, si një mënyrë për t’u shkëputur nga e kaluara e saj dhe për të shijuar luksin dhe aventurën. Në çdo arratisje dhe aventurë të këtij lloji ajo mban një emër të ri, herë quhet Lili, herë shoqja Arleta, herë madam Army, herë madam Riçardson, pastaj madam Kiriko. Por për Rikardon ajo është gjithnjë vajza dhe gruaja më e bukur, më e dashur. Është prarimi dhe mallkimi i jetës së tij, është sëmundja e tij, është një shkrepëtimë çastesh të lumtura në një jetë montone apo të trishtuar, ku tirania e ndjenjës për gruan që duket e shduket pa rregull ka anulluar gjithçka tjetër. Rikardoja e ka njohur Lilin apo “kiliankën”, siç e quan, në Peru, në shkollën e mesme. Atje ka rënë në dashuri me të, i ka kërkuar dorën si të ishte një i rritur. Vajza i ka refuzuar dorën , por jo të puthurat. Pas kësaj fati i ka shpërndarë si ashkla këta dy të rinj në oqeanin e madh të jetës. Rikardoja shkon për të studiuar e punuar si përkthyes në Paris. Ka lenë pas Perunë , pa asnjë dëshirë për tu kthyer më atje. Ka vetëm një synim: të mund të jetojë deri në mbarim të jetës në Paris. Por një trill suprem i rastit e takon me “kiliankën” në kryeqytetin francez. Dashuria e tij për këtë vajzë ringjallet dhe lulëzon më shumë se herën e parë , jeta e tij fiton edhe një synim të dytë: të mund të jetojë përgjithmonë me bashkatdhetaren e tij të bukur, të mund ta ketë përgjithmonë në krahët e tij. Në këtë pikë fillon një ëndërr apo një vegim që nuk do të ketë të sosur: vajza që vetëm ikën sa herë kthehet dhe ai që vetëm prêt sa herë që ajo ikën. “Kilianka”, kështu do ta quajmë sa kohë që ajo na humbet vazhdimisht në maskat e saj, mendon se nuk duhet të rrezikojë duke u bërë gruaja e tij, gruaja e një përkthyesi me kontratë në Unesko, që mbijeton duke u rropatur sa në një konferencë në tjetrën. E vetëdijshme për bukurinë dhe talentin prej joshësje, tradhëtare e vjetër e fatit të saj, gjithnjë e trembur se mos skamja e dikurshme e fëmijërisë, së cilës i ka dhënë munzët, mund ta përfshijë përsëri në vurbullën vdekjeprurëse , e mësuar ndërkaq me beneficet dhe shijen e shtirjes, rrebele dhe kryengritëse, ajo nuk mund të kënaqet me çfarë i ofron Rikardoja. Si një motër për shpirt e Rastinajkut balzakian, ajo hedh vështrimin e saj të mprehtë prej gjuetarjeje drejt luksit, drejt së ashtuquajturës shtresë të lartë, që tashmë nuk është e nuk mund të jetë aristokratike, por borgjeze apo edhe kriminalo-mafioze. Martohet tre katër herë me pasanikë të ndryshëm. Ushqen vesin dhe lakmitë e saj në këto përvoja. Por edhe rrezikon jetën. Në çdo rënie, apo pas çdo ndarjeje ajo kthehet apo shfaqet për pak kohë në horizontin e njeriut të vetëm në botë që nuk di të bëjë tjetër veçse të përkthejë dhe të dashurojë atë grua. Ajo dhe Rikardoja janë si dy pika në botën e madhe që, pavarësisht endjeve andej këndej, takohen periodikisht në hapësirë. Këto takime janë çastet më të bukura në jetën e Rikardos, por janë edhe paralajmërimi i shdukjeve të reja të gruas, i vuajtjeve të reja të burrit. Dashuria e mbush me jetë por edhe e gërryen shpirtin e Rikardos. Në një pikë të ckatuar nuk kuptohet mirë a është dashuri ajo e tija, apo një sëmundje, një kufizim, një inat që nuk del. Gjithnjë përbetohet të dalë nga rrethi vicioz i kësaj sëmundjeje, por gjithnjë mposhtet nga malli dhe dëshira, sapo perendesha e tij kapriçize i shfaqet si një kimerë me hiret e saj robëruse. Ai është robi i saj dhe ajo e di këtë. Ai nuk e nxjerr dot nga zemra dhe ajo nuk mungon të kthehet herëpasherë si nga stuhia në limanin e dashurisë së Rikardos. Ky është rebusi pa zgjidhje i këtij raporti.
Për ta kuptuar do na duhet ti referohemi natyrës estetike të Rikardos. Ai është një lexues dhe një artdashës i madh. Ai ka kultin e bukurisë . Ai sikur ofrohet fizikisht dhe shpirtërisht për një eksperiment të paparë të dashurisë me qënien njerëzore. Rikardoja i ka kushtet për ta bërë këtë. Jeton vetëm, nuk është karrierist dhe ambicioz. E ka pranuar herët fatin që të sakrifikohet për dashurinë. Alternativa e këtij përkushtimi është vetvrasja, prej së cilës ai shpëton rastësisht në një moment kulmor të shgënjimit të tij me “kiliankën”.
Po ç’është kjo grua? Pse është ashtu, lënduese, magjistare, e mrekullushme, robëruese, joshëse, mosmirënjohëse, zemërbardhë, cinike, e dhëmshur? Rastësisht, pas më shumë se tridhjetë vjetësh, në kthimin e parë dhe të vetëm në Peru, Rikardoja takon bananë e saj, Arkimedin. Prej tij merr vesh se e dashura e tij e përjetshme ka patur emrin Otilita, se qysh fëmijë donte të ishte si të bardhët, si të pasurit, se kishte fituar një konkurs dhe ishte nisur pa një kacidhe në xhep në botën e madhe për të prekur ëdrrën e saj të mirëqnies dhe luksit. Një vend i varfër i Amerikës Latine, Peruja, e kishte hedhur matanë Atllantikut si për të vënë në provë forcën e bukurisë dhe ambicieve. Në këtë aventurë, Otilita, e cila nuk e përdori më kurrë emrin e saj të pagëzimit, e ka si barrë dashurinë e çiltër dhe të thellë të Rikardos. Për të dashuria duket sikur është një gjë e bukur për ta pasur, por jo për ta jetuar . Por së fundi dashuria e fiton betejën me pasurinë, me luksin, me lavdinë dhe me gjithçka tjetër. Si shumica e historive të ngjashme, romani “Vajza e prapë” na rezervon një fund epik dhe tragjik njëkohësisht, të denjë për shënjen e bujarisë dhe fisnikërisë që ka gdhendur pa u ndier, përgjatë një jetë, dashuria e Rikardos në shpirtin e gruas. Dashuria e merr gjithnjë kalanë e vet, edhe pse ky lloj triumfi zakonisht kremtohet me lot dhe zi.
Ngjarjet e romanit “Vajza e prapë” shtrihen në një periudhë që zgjat rreth tridhjetë e pesë vjet. Duket qartë se romani është ndërtuar mbi disa elementë autobiografikë . Të dyja këto vaçori- kohëzgjatja dhe autobiografizmi- përmbajnë rrezikun e monotonisë, rrezikun e mungesës së ritmit dhe shpërdarjes së subjektit edhe atje ku nuk është autori që tregon në vetë të parë. Por romani rrjedh në skena dhe refleksione terheqëse që ruajnë tensionin dhe befasinë. Autori tregohet vërtetë mjeshtër në kompozimin e pjesëve, duke gërshëtuar mrekullisht linjën e dashurisë me tabllotë e jetës peruane, parisiane, spanjolle, angleze apo edhe japoneze. Ai gjen gjithnjë momentin e duhur të na përfshijë dhe të na nxjerrë për pakëz pushim nga subjekti i tij i thellë dhe dramatik. E gjithë kjo përfton përshtypjen e një romani dinamik dhe të ngjeshur, ngjarjet e së cilës zgjasin vertetë tridhjetë e pesë vjet, por përcillen si për tridhjetë e pesë orë. Sigurish, në këtë lloj magjie kanë vendin e tyre të padiskutueshme fuqia përshkruese dhe depertuese e penës së Llosës, stili i tij i kulluar aty ku është errësira më e madhe e gjendjes, aftësia e tij për të mbajtur lart kureshtjen dhe emocionin nga njëri kapitull në tjetrën. Përveçse psikologjik, “Vajza e prapë” është një roman i ndjerë, prekës, realist dhe njerëzor për trajtat dhe kthesat e çuditshme të dashurisë në një marrëdhënie sa tipike aq edhe unikale mes një burri dhe gruaje.