Digat e Malit të Zi, një biznes italian


Nga: Revista Mapo

Ndërkohë që një kompani nga Lombardia blen një pjesë të aksioneve të korporatës elektrike të Malit të Zi, Podgorica hedh idenë e një impianti gjigand mbi lumin Moraça. Një katastrofë ambjentale, denoncon WWF, e cila nis presionin mbi Bashkimin Europian. Një shkrim i botimit “E premtja”, të gazetës italiane “la Repubblica” , i cili hedh dritë mbi planet e Berluskonit dhe Gjukanoviçit, për të inicuar projekte energjitike edhe në fqinjin tonë verior. Një “muzikë” e dëgjuar edhe për veshët tanë...


Shpëtoni Liqenin e Shkodrës! Liqeni më i madh i Mesdheut, i shtrirë mes Shqipërisë dhe malit të Zi, dy hapa larg Adriatikut, është në rrezik. Atij i kanoset një projekt që parashikon ndërtimin e një kaskade centralesh elektrike – katër diga, prej të cilave më e larta do të jetë 150 metra – mbi lumin Moraça. Në lojë vihet fati i një rezerve të pamatë natyrore, ku dimërojnë 150 mijë shpendë migratorë dhe ku ndodhet habitati i një variacioni të jashtëzakonshëm peshqish.
Alarmi arrin nga Podgorica, ku ËËF (fondi më i madh i mbrojtjes së ambjentit në botë), sapo ka dorëzuar një peticion për qeverinë malazeze, pas një studimi që i është bërë impaktit ambjental të projektit në fjalë. 15 mijë firma dhe një jehonë e madhe mediatike, për një vend ende të pamësuar me ushtrimin e vështirë të të kundërshtuarit dhe të oponencës.
Pjesë e Jugosllavisë dhe më pas e federatës Serbi-Mali i Zi, ky vend drejtohet nga Millo Gjukanoviç (48 vjeç), i cili ka dalë i padëmtuar deri më sot nga përplasjet dhe peripecitë politike të vendit. Në Itali ai është i njohur për hetimin e gjatë të prokurorisë së Barit, e cila e akuzonte për bashkëpunim mafioz në akte kontrabande. Kjo akuzë u arkivua vitin e shkuar, për shkak të imunitetit që Gjukanoviç gëzon si kryeministër, megjithëse ai pretendoi pafajësinë e plotë.
Tashmë raporti mes ish-komunistit malazez dhe Italisë rrjedh në binarët e biznesit. Nga fillimi i vitit 2014, një kabëll nënujor do të bashkojë Malin e Zi me Italinë. Marrëveshja e arritur mes dy vendeve në shkurt, ndjek pas një tjetër akord: atë mes kompanisë italiane “a2a”, e cila bleu 43.7% të aksioneve të korporatës elektrike të Malit të Zi EPCG, me një opsion të blerjes së shumicës absolute duke nisur nga 2015. Pak më parë, në fund të vitit 2007, Podgorica kishte nxjerrë nga arkivat projektin që parasheh ndërtimin e impiantit hidroenergjitik mbi kanionin e Moraçës. “Një ide e vjetër, e braktisur një herë në vitet ’80 për arsye të ndryshme, mes të cilave rreziqet sizmike”, shpjegon Françeska Antoneli, përfaqësuese e WWF për zonën e Ballkanit.
“Aktualisht, sipas planeve, po lind një impiant me një efekt shkatërrues mbi ambjentin dhe me kosto tej mase të larta, megjithëse askush s’e ka provuar deri më sot se këto diga janë përgjigja e duhur për deficitin energjitik të Malit të Zi”, shton Darko Pajoviç, lider i grupit Green Home, partner lokal i WWF. Sipas ambjentalistëve, nevojat mund të përmbushen thjesht duke optimizuar dhe shfrytëzuar më mirë rrjetin elektrik vendas, duke ristrukturuar impiantet e vjetra ende në punë dhe duke futur në përdorim energjinë e erës dhe të diellit. “Për më tepër, thotë Dejan Milovac i shoqatës së ambjentit Mans, që gjysma e energjisë së Malit të Zi po konsumohet aktualisht nga një uzinë alumini ruse, e cila do të mbyllet së shpejti”. Megjithatë, projektet po avancojnë dhe shumëkush po fillon të ndjejë erën e kësaj afere në bregun tjetër të Adriatikut. Kundërshtarët e këtyre projekteve janë të sigurtë se përfituesi kryesor i energjisë së re që do të prodhohet në Malin e Zi, do të jetë pikërisht Italia. E gjitha kjo pa një proces informimi për malazezët, një pjesë e mirë e të cilëve, përballë mungesës së energjisë, po i mbështesin projektet në fjalë.
Skenari që po merr formë, duket qartë tek zbret me avion në Podgoricë. Një sipërfaqe e pamasë ujore - një zonë kënetore – me rreth 370 km katrorë gjatë verës dhe 540 mk katrorë në dimër dhe pranverë. Sipërfaqe e shtrirë, por e cekët. Liqeni i Shkodrës është i vendosur mbi një sipërfaqe të rrafshët, saqë edhe një ulje me 30 centimetër e nivelit të tij, rrezikon humbjen e një të tretës së sasisë së ujit, siç shpjegon Danilo Mardak, biolog i Universitetit të Podgoricës. Sipas tij, këtu është problemi i vërtetë, pasi peshqit e shumtë i vendosin vezët pranë sipërfaqes së ujit. Në këto kushte, një sistem digash që do të pengonin ujin e Moraçës, do të ndërpriste furnizimet me ujë të vetë liqenit. “Sezoni i furnizimit të basenit të digave është kryesisht në pranverë, thotë mardak, pikërisht koha kur nis edhe cikli i riprodhimit të gjallesave në liqen”.
Liqeni i Shkodrës ofron 600 mijë ton peshk të kapur çdo vit. Një sasi e destinuar të ulet ndjeshëm, nëse projekti i digave do të shkojë deri në fund. Por digat në fjalë, sipas ambjentalistëve, kanë impakt të rëndësishëm edhe për vetë lumin Moraça. Fauna e këtij lumi do të jetë e destinuar që të mbetet e ndarë nga ekosistemi i liqenit. Pa marrë parasysh, dhe ndoshta më kryesorja, përmbytja e fshatrave, e tokave bujqësore, me mijëra familje të evakuara. Në rrezik ndodhet gjithashtu edhe një manastir i vjetër që ndodhet nën nivelin e parashikuar të përmbytjes.
Firma “a2a” nga Lombardia e pranon përfshirjen e saj në projektin e lumit Moraça, por mohon akuzat për dëmet që ai sjell. “I kemi të qarta problemet e vjetra të projektit, thonë nga kompania, dhe po ekzaminojmë mundësitë alternative”. Kurse sa për prodhimin e energjisë, sigurojnë nga “a2a”, ajo do t’i shkojë më së pari malazezëve, kurse Italia do të marrë vetëm sasi të caktuara.
Ambjentalistët i kanë kërkuar ndihmë përfaqësuesit të Bashkimit Europian për Malin e Zi. Dhe në procesin e hyrjes së MZ në BE, ky reagim mund të jetë shansi i fundit për liqenin e Shkodrës.