Revista Mapo
  E Shtunë, 04 Shtator 2010
  KERKO  SHFLETO ARKIVEN
Perdoruesi:   Fjalekalimi:  
Numri 193 i revistes
Përmbajtja
Numrat e Kaluar
Abonohu
  Kryeartikull
  Politike
  Ekonomi
  Dossier
  Reportazh
  Ekskluzive
  Sociale
  Kulture
  Forum
  Mesazh në Shishe
  Bote

Fotografia e Javes

Karbon

Shqipni e Harrume

Kontakte
Rruga 'Gjin Bue Shpata'. pallati 9/A, Ap. 48,
Tirana, Albania

+355 (0)4 223 110

www.revistamapo.com
info@revistamapo.com
 
Rubrika:: Sociale

20 mijë familje të ngujuara

Shkruan : Olsi Kolami

Pas heshtjes 50 vjeçare në komunizëm, gjakmarrja rikthehet në forma të ndryshme. Dhe, nuk është më si dikur, tani më i ashpër, pa rregulla dhe në sy të shtetit. Kanuni, rregullatori i jetës dhe vdekjes në Veri të vendit, duket se ka ndryshuar aq shumë sa edhe të moçmit, që i rendisin dikur përmendësh nenet e shkuara nga Lek Dukagjini, mbeten përnjimend pa fjalë, teksa shohin ndryshimet. Gruaja dhe fëmija, që dikur ishin të ndaluar të hynin në gjak, sot barazohen me burrat. “Pas vitit 1990, në Shqipëri, u përhap fenomeni i konflikteve për pronën, trafikimin e armëve, femrave dhe drogës- duke nxitur vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje, jo vetëm në zonat veriore, ku ka ekzistuar vetqeverisja kanunore por edhe në jug”- tregon Gjin Marku, kryetar i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve. Ai shpjegon se viti ’97 ka qenë një ndër periudhat ku rikthimi i gjakmarrjes ka pasur nota më të forta, krahasuar me të shkuarën e pas viteve ’90 dhe kjo më shumë për shkak të mungesës së shtetit. Sipas statistikave të ofruara nga Komiteti i Pajtimit, me vetgjyqësi u është marrë padrejtësisht jeta mijëra shqiptarëve, ndërkohë që familje të tjera vijojnë të qëndrojnë të ngujuara nga frika: gjaksi i pret pabesisht në derë.

Gjak në emigracion
Emigracioni mbetet aktualisht e vetmja mundësi për dhjetra familja, që janë në gjak. Shifrat e Komitetit të Pajtimit, flasin për rreth 1270 burra (edhe adoleshentë), të cilët janë larguar jashtë vendit për t’u fshehur nga gjaksi. “Në vitin 2002, rezultonin të larguar jashtë shtetit për t’iu fshehur hasmit 1270 burra. Sot pjesa më e madhe e tyre falë mbrojtjes që u ka bërë Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar janë bashkuar me pjestarët e familjes, mbasi kanë marrë të drejtën e azilit”-tregon Marku. Sipas tij, mjaft çështja të mprehta të gjakmarrjes, kanë kaluar deri në gjykatën e Strasburgut, por më pas, mbrojtja e tyre është dëmtuar nga vetë qeveria shqiptare me nënshkrimin e marrëveshjes për riatdhesimin e emigrantëve, që nuk kanë fituar të drejtën e azilantit. Por, edhe në emigracion, dhjetra raste mes shqiptarësh kanë pasur si shkak gjakmarrjen dhe hakmarrjen. Të rinj që kalojnë kufirin për t’u përballuar me atë që i ka vrarë të afërmin me një plumb në xhep. Pas misionit të kryer, shumë prej tyre, kthehen në atdhe. Sipas specialistëve të drejtësisë, aktualisht në kodin civil dhe atë penal rezultojnë 21 ligje dhe 73 nene, të cilat duhen rishikuar sëbashku me kodin e procedurës pasi në disa raste favorizojnë jo vetëm veprimtarinë keqbërëse por edhe korrupsionin në drejtësi duke i lënë shteg vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje.

Gjakmarrja në shifra
Komiteti i Pajtimit, i vetmi institucion që ofron aktualisht shifra mbi numrin e të ngujuarve dhe viktimave të marrjes së gjakut, raporton në këto 16 vjet, me vetëgjyqësi u është marrë jeta rreth 5000 shqiptarëve. Statistikat tregojnë se mbi 20 mijë familje janë përfshirë në konflikte të mprehta, duke zgjedhur si rrugë të vetme, ngujimin. “Fëmijët e këtyre familjeve kanë braktisur shkollën dhe janë izoluar për vite të tëra brenda banesave, pa mundur të takojnë, qoftë dhe për një çast shokët e të afërmit e tyre”-tregon kreu i Komitetit të Pajtimit. Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2002-2003, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë, Komiteti mundi të nxjerrë jashtë mureve të ngujimit 652 familje në jug, ndërkohë që po ndjekin tashmë shkollën 590 fëmijë, që e kishin braktisur atë. Ndërkohë po punohet për pajtimin e familjeve të ngujuara, proces, ky i cili është zbehur në vitin 2002. “Para kësaj periudhe Kuvendi Kombëtar organizoi në Pukë, një aktivitet që u realizua me aktivistët e Komitetit nga të gjitha fshatrat e veriut të Shqipërisë, nga 2500 familje të ngujuara janë liruar 1124. Deri në vitin 2002 mbetën të ngujuara e në hasmëri vetëm 1376 prej tyre”-pohon Marku.

Olsi Kolami

SipërEmail Printo

  Mos trokisni në atë derë

Drejtësia është e munguara e madhe në Shqipëri prej njëzet vjetësh, qëkur flitet për të në bazë të ligjit dhe të së drejtës. Shpërthimi spektakolar i akuzave mes pozitës dhe opozitës, është vetëm prova e fundit e kësaj mungese të rëndë demokratike që ka Shqipëria e sotme


Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni
Motrat Kessler dhe mandati “Vokshi” i qeverisë Berisha

Ajo që po shohim është një deja vu, me dimensione të tjera. Një vit pas zgjedhjeve, mandati i dytë zgjon urrejtjet e brendshme, luftën për përfitime, sesa atë për pushtet. Rezultati? Kush akuzohet, mbetet vetëm...

Një lajm i rremë: s’ka lajme

Burimet njerëzore që ka sot media shqiptare është mjaft më mbrapa, shumë më mbrapa për t’iu përgjigjur një Shqipërie që është gjithnjë e më e komplikuar