Revista Mapo
  E Enjte, 09 Shtator 2010
  KERKO  SHFLETO ARKIVEN
Perdoruesi:   Fjalekalimi:  
Numri 194 i revistes
Përmbajtja
Numrat e Kaluar
Abonohu
  Kryeartikull
  Politike
  Ekonomi
  Dossier
  Reportazh
  25 pyetje nga Mustafa Nano
  Ekskluzive
  Sociale
  Kulture
  Forum
  Rue Wiertz 60
  Mesazh në Shishe
  Bote

Fotografia e Javes

Karbon

Shqipni e Harrume

Kontakte
Rruga 'Gjin Bue Shpata'. pallati 9/A, Ap. 48,
Tirana, Albania

+355 (0)4 223 110

www.revistamapo.com
info@revistamapo.com
 
Rubrika:: Reportazh
Foto ekskluzive nga Jutta Benzenberg

Udhë mes ballkano-egjiptianëve të Shqipërisë

Shkruan : Ben Andoni

Gjergji i ka pak të dala sytë dhe varfëria ia ka nxjerrë dhe më shumë në pah. Njësoj, si sot, dje dhe ditët që do të vijnë, është ngritur që herët në mëngjes. Ka ditë pa punuar dhe për dreq dhe rrobaqepësia, ku ka punuar deri më tani e shoqja, është drejt mbylljes...”Evgjit, s’ka punë”, i thotë me përbuzje dikush, që më mirë mos t’ia përmendim emrin, aty poshtë në agjencinë e Gjirokastrës. Ai s’mërzitet. Të paktën gruaja, do ketë gjetur diçka. Kështu kalon dita dhe ajo tjetra pas saj. E kështu me radhë...
...
Në të njëjtën kohë, jemi duke udhëtuar për në kryeqytetin e jugut. Shiu i shkurtit dhe grihnaja e këtij viti, na kanë zhytur në mendime pafund dhe në përsiatje të kota. Pse ballkano-egjiptian? Ky është mendimi më i zakonshëm, që më vjen, sepse ky udhëtim u kushtohet egjiptianëve të Shqipërisë, grupit më punëtor dhe më të talentuar shqiptar të mozaikut të minoriteteve nga ana muzikore. Ballkano-egjiptian është një term i ri (E përdorin tashmë ideatorët e ngritjes së vetëdijes së tyre), por që në kontakt me ta duhet që ta mësosh. Në fakt, për atë kontribut të madh që kanë për kulturën dhe zejet në Ballkan e meritojnë, të jenë kështu ndryshe. Sa ndryshe vallë? Aqsa tash, të mbushin radhët e të papunëve dhe të mbijetojnë. Paradoks i zakonshëm shqiptar. E sot, teksa presin në fillim të qytetit për ndonjë punë, është harruar se me duart e tyre janë bërë shumë nga gjërat e përditmërisë shqiptare. Neve, sigurisht, që pak na e varin. Ne s’kemi punë dhe jo të mundemi të ofrojmë punë për ta. Më intelektualët prej tyre e quajnë veten ballkano-egjiptianë dhe nëse dikush do t’i përdorë ndonjë term që i bashkon me romët, atëherë vërtetë s’i ke punët mirë. Qysh prej shekullit të XIV në Ballkan, kohë kur fillojnë e paraqiten Romët, prej atëherë s’mbarojnë dhe keqkuptimet për etnitë Egjiptiane dhe Rome. Jutta, në grupin tonë, e di më mirë diferencën nga ana antropologjike. Më bën një kurs të shkurtër dhe dyshoj se ka lëvizur shumë më tepër në komunitetet rome dhe egjiptiane. Dikush nga ambasada egjiptiane i ka thënë se ata nuk janë egjiptianë. E mbyll diskutimin pasi tund kokën, në shenjë mohimi. I ngatërroj diçka për Mehmed Aliun, por kjo s’i bën shumë përshtypje. Ai ishte i pari, që bëri një lloj emigracioni të ballkanasve dhe i fundit i dinastisë së tij me Farukun më 1931 dhe 1937 shënon në kronika dhe dy nota diplomatike drejt shteteve ballkanike me kërkesën që t’i kthehet sërish populli i tij në Egjipt. Gjergji është një nga njerëzit e shumtë të papunë që ngre sytë vetëm kur kalon ndonjë makinë. Por, ato që vinë nga poshtë, zakonisht s’janë të atyre që ofrojnë punë. Ato ikin në Kakavije ose më shumë në qytet...Ne jemi një nga ata.

Në Gjirokastër
Ata-ne shpejt bëhemi asgjë. Është një ditë e zakonshme dimri dhe shiu fillon, pushon dhe fillon sërish sipas midesë së tij. E kam pasur pak të vështirë bisedën me Beharin, kryetarin e tyre, por në fund si gjithmonë bindet. I kam kërkuar një lidhje në Gjirokastër në komunitetin e tij. Kryetari i ballkano-egjiptianëve pyet e pyet dhe në fund më ka dhënë një orientim. Katër ditë më vonë, pas këtij udhëtimi në grihnajën e shkurtit jemi fill e në zyrën e drejtorit të shkollës së muzikës në Gjirokastër, Kujtim Dules. Ai është drejtues i komunitetit të tyre, një burrë shumë simpatik, që jep e merr ndërkohë që trokasim ndër regjistra pafund. Ka qenë dikur në Institutin e Lartë të Arteve dhe dashuria me një vajzë të dorës së bardhë “e ka marrë në qafë”. Është i hapur, por flet shumë e më shumë për gjëra globale. I shpjegojmë qëllimin, për ta ulur me këmbët në tokë: Duam të shikojmë sesi jetojnë sot: “Ah, thotë. Do ju përcjell për këtë një aktivisten tonë dhe ajo do t’ju shoqërojë në qytet në lagjen e tyre”. Është shtatlartë dhe shumë e shëndetshëm dhe ka ardhur nga prindër të kryqëzuar. Si drejtor në këtë shkollë kuptohet që i përket njërës nga dy prirjeve më të zakonshme të egjiptianëve. Nuk është farkëtar, por artist. Qesh, një çast, sepse është e pamundur të identifikohen këta njerëz pa ndjesinë e farkëtarit. Por ai është artist dhe madje shumë. Ka në repertorin e vet 1500 këngë, kënduar deri në festivalin e madh të RTSH-së, ndërsa është një nga militantët më aktivë të Festivalit Foklorik të Gjirokastrës. Ka në kokë idenë e një opere, që më duket si futuristike. Libretin do t’ia hartojë Petro Dudi nga Qesorati dhe s’mbaj mënd është për Antigonenë apo Argjironë. Këtë se mbaj mënd mirë. “Kam qenë në festival dhe Petrit Lulon e kam nxjerr unë...”. Sikur është më i madh në moshë,- e pyes pa doreza. E gjen një justifikim. Janë dhe 40-50 intelektualë të komunitetit të tyre në qytet, ndërsa pjesa tjetër janë ata të papunët, që i kemi hasur kur kemi ardhur. Një pjesë tjetër, me fatlumia, ka gjetur emigracionin drejt Amerikës, Kanadasë, Greqisë dhe shumë në Itali. Është në gjendje të mirë, dhe këtë e thotë krenar sepse më orienton të shkoj te klubi i tij por çuditem kur më thotë se e shoqja ende i punon në pallatin e Sportit si pastruese!!! Sfida e tij personale ka qenë shkolla e muzikës së qytetit dhe ndaj hamendësoj se duhet ta ketë mirë me dy forcat politike: “U mbyll një periudhë kohe dhe pastaj shkolla u hap nga PS dhe pastaj nga PD nga Vasil Muka. E mora shkollën në mënyrë mizerabël dhe arrita që kjo shkollë sot të jetë në ato nivele. Jo aq sipërore, por shumë më mirë. U hapën klasat për violinë dhe piano, por tashëm kjo shkollë do mbështetje. Kam pasur mbështetje për shkak të niveleve të mia. Tani për tani jam jashtë forcave politike. Kam qenë fillimisht me PBDNJ sepse mbështeste organizatën tonë...”. Shumë por, e por...

Egjiptianët
Por, burri flet pafund i bindur se e njeh mirë problematikën e tyre. Është krenar që është egjiptian edhe pse është përgjysmë i tillë. Të paktën jam i huaj, bën shaka dhe shikon për mbështetje Juttën. Kjo e fundit e ka mendjen në planin sesi do t’i fokusojë njerëzit e komunitetit të tij dhe e kupton fare pak. Ndërkohë të tre presim gruan, që nuk po vjen ende dhe që do na përcjellë në qytet drejt lagjes së tyre. Astriti, një egjiptian që na ka drejtuar për te shkolla, më thotë se janë të gjithë të papunë dhe se kjo jetë po i rrënon krejt. Një papunësi dhe gati më shumë se 70% e komunitetit marrin asistencë. “Ata jetojnë në një gjendje të rëndë dhe aq më tepër më vjen keq se ka dhe përfaqësi që gjoja merren me këto komunitete dhe më interesante që ata punojnë vetë pa na pyetur”, shton Kujtimi 50 vjeçar, që me origjinë është nga Vlora. Njësoj edhe gratë e tyre janë krejt pa punë, kurse pjesa më madhe e fëmijëve, gati 75 % e tyre, sipas drejtorit shkojnë në shkollën “Çajupi”. Disa fare pak arrijnë edhe në Gjimnaz. Astriti, më ka ftuar në shtëpi që e ka bashkë me të tjerët e lagjes së tyre, në një nga lagjet e qytetit. E kemi lënë që do shkojmë më vonë. Është e trishtuar sepse e vetmja gjë dikur ka qenë se pas kohës së punës, të gjithë mblidheshin dhe i kushtoheshin artit të tyre. Të tjerët, mbyllur në dyqane punonin e punonin të patrazuar. E kështu jeta rridhte e qetë dhe pikonte pak nga pak mushtin e mbijetesës. Enver Hoxha, në kujtimet e tij, kujton një nga zanatçinjtë egjiptianë të lagjes së tij, që i ndihmoi të motrën për t’u shëruar dhe në kujtimet e tij gati shkruan me apoteozë për egjiptianët (evgjitët). Duhet të shkojmë se paraqitja e drejtorit po më lodh ngaqë fillon e mburret pak, por i jemi mirënjohës për ndihmën, Sakaq gruaja është duke ardhur nga një drejtim tjetër. “Eh, kujtoj Astritin, Enveri të ishte, po këta kot e shajnë”. Në fakt është një fjalë koti sepse burimi i urrejtjes ka qenë i njëjtë dhe në atë sistem. Jo më kot, egjiptianët, punëtorë të palodhur, veç zejeve iu drejtuan dhe bujqësisë për ndihmë. Ata punonin toka, ndërsa arrinin të siguronin prodhime për të plotësuar kërkesat e familjes, si dhe të arrinin për t’i shitur. Këta “argatë” të pazëshëm paguheshin jo si të tjerët për punën e tyre. Shumë më pak. Pse ka ndodhur kështu, gjithmonë, e pyes.
Kjo është pak a shumë edhe biseda e fillimit me kryetarin e pamend. Kujtimi na fton që pas setit të fotove ta takojmë sërish, por koha s’premton. Astriti është sërish aty, ku e kemi lënë, kurse Jutta afrohet nga një shtëpi karakteristike, që e ka tërhequr shumë dhe që është afër shkollës muzikore të qytetit...

Jashtë reportazhit
“Instrumentet e tyre janë: gërneta (klarineti), zurnaja (zurlla) dhe daullja (lodra). Familja Majo nga Dibra, më 1949 në Lagolen në Angli, ka marrë vendin e parë në Festivalin Botëror Folklorik. Shumë artistë të merituar dhe të popullit i përkasin kësaj popullate dhe ato më mirë e njohin traditën dhe muzikën e qyteteve të lashta të Shqipërisë. Mbi të gjitha janë shumë të kulturuar dhe me sens për të bukurën”, thuhet në literaturë.

Intermexo
Ka një gjë që i lidh egjiptianët dhe këtë mundohemi të gjejmë. Kanë qenë farkëtarë të mirë. Për fat të keq, kjo zeje është zhdukur krejtësisht. Thuhet se ata i përgatitën armët Ali Pashë Tepelenës, veç bëmave të tjera të këtij lloji, që kanë në histori. Në vendet ku kalonte rruga Via Egnatia ose degët e saj, janë ende shumë toponime të tilla si për shembull: “Kodra e Egjiptianëve”, “Varrezat e Egjypëve” etj. Në një lokalitet “Egjupski grobishta” (“Varrezat e Egjypeve”) në kuotën 2009 të malit Stogovo në Maqedoni, pas një hulumtimi arkeologjik në vitin 1990, prej arkeologut Pasko Kuzman, në afërsi të këtij lokaliteti, i cili është nekropol, u gjet një minierë e harruar, e cila kishte mineralin e hekurit te manganit. Ideja është se në Via Egnatia duheshin sepse mbathnin kuajt në stacionet e ndryshme romake.

Burri
Gruaja ka ardhur nga një anë tjetër dhe bën menjëherë lozonjaren. Por, në moshën që është, kjo duket më tepër se e tepruar. Është shumë e edukuar dhe një nga militantet e PS-së në qytet. Ndahemi me drejtorin. Gruaja, na heq shpejt udhë, ndërsa na bën gjatë rrugës një rikonjicion tjetër të qytetit. Kalojmë dhe njëherë nga agjencia, por në kohë dreke, shumica e punëtorëve-pa-punë, që s’kanë gjetur dot gjë tashmë janë larguar. Fatlumët duhet të kenë zenë vend diku duke menduar për të nesërmen. “Burrat janë marrë me zanate të tilla si: teneqepunues, farkëtarë, muzikantë, si dhe kanë shërbyer si forcë e lirë pune: gratë dhe vajzat, të lëna pa shkollë, punonin shpesh në shtëpitë e qytetarëve duke bërë të gjitha punët e shtëpisë: Ato lanin, fshinin, gatuanin, rritnin fëmijët dhe, për të gjitha këto, kishin fituar respekt të madh si gra të pastra, të urta, punëtore dhe te ndershme. Familjet më të pasura të qyteteve pajtonin në shtëpitë e tyre gra të tilla dhe ishin krijuar marrëdhënie të ngushta respekti midis familjeve “ , më thotë gruaja një gjë që duket se e kam lexuar diku. Vetë gruaja është ekonomiste dhe di të bëjë diferencime të sakta. Ata i kanë lënë pa shkollë sepse nuk kanë dashur t’i integrojnë, sipas saj. Të 275 familjet me rreth 5000-6000 veta tashti jetojnë keq e më keq. Gruaja më flet pak dhe për Kujtimin, ndërkohë jemi afruar në lagjen e tyre. Ka qenë një organizatë në Vlorë dhe kanë pasur shumë mosmarrëveshje me Tiranën, ku ka qenë organizata kryesore. Statusi i saj dhe e ardhmja janë gjërat që i kanë diferencuar. Për shembull cilët janë kontradiktat?-mbaj mënd që kam pyetur drejtorin: “Ne nuk e pranojmë se jemi me origjinë nga Egjipti pasi kemi humbur çdo lloj gjurme. S’jam i tillë po s’pata gjuhën, emrin, traditat..Është ndryshe se romët kanë gjuhën e tyre dhe vendin e tyre nga kanë ardhur. Ne se kemi të qartë vendin nga kemi ardhur. Kam bërë një takim me ambasadorin egjiptian..dhe ai më tha se ju jeni shqiptarë në gjënë tuaj..Ne s’kemi asnjë lidhje me ju”.

Të tjerët
Në fakt, pak u bën përshtypje ky problem luksi, ballkano-egjiptianëve të Shqipërisë. Drejtorin e kam akoma në vesh me fjalët e tij: “S’kemi parametrat e tyre. S’mund të krenohen ata me këtë pjesë të këtij komuniteti që është me nivelin më mizerabël. Komuniteti që quhet egjiptian të quhet Komuniteti i Racës së zezë, për mua. Si e ka çdo vend dikush zezak”. S’më pëlqen që të jem egjiptian..., kujtoj se e ka mbaruar ligjëratën e tij burri. Ndërkohë, jemi afruar me Izmimin, si do më thotë që quhet gruaja, dhe qëndrimi i parë do jetë një njeriu i saj. I sqaron me kujdes bashkëkomunitarët e saj, që presin nga njerëz të paftuar vetëm ndihma, se jemi për tjetër punë. “Ne si popull jemi si pjesë 1/3 e popullatës dhe nuk mund të quhemi të ardhur...”. Është varfëri dhe shtëpi të mobiluara rëndë me gjëra të lira, të lodhin. Gjen gërshetimin e prodhimeve kineze me ato të vendit dhe kujtesat e komunizmit. Bufenë plus divanët e asaj kohe. Izmini është e zgjuar dhe bën shpesh përgjithësime dhe deduksione të qarta. Flet thjesht pastaj: “E them me sinqeritet se kjo popullatë është e diskriminuar. Askush nuk interesohet për jetesën, arsimimin dhe gjërat e tjera apo më thjesht për integrimin e tyre”...Dy gra që punojnë andej e përshëndesin ftohtë. Njëra i ankohet për Bashkinë. Gruaja i njeh të gjithë. Na përcjell me shumë takt tek të gjithë. Nuk na ndahet një djalë jo i zhvilluar mirë, i cili duhet të jetë rreth 12-13 vjeç. Gruaja vjen menjëherë. Është me gjëra ari kudo. Izmini, i bën me kokë një burri, që vjen sakaq. Me një shqipe gjysmake, që duket se më shumë shqiptohet keq nga goja e prishur, një burrë na flet nga larg: Çfarë doni këtu? Djali është i burrit dhe gjatë rrugës më thotë sesi në shkollë e përçmojnë. Jutta mundohet të bëjë foto, por asgjë nuk të ngjall më. Flasin dhe flasin pafund, por askund që të thonë diçka më shumë. “Asistencë. Kam dy fëmijë. Djali ka dhimbje koke dhe dridhet. Kemi qenë në rrobaqepësi. Jam në pikë të hallit. Quhem Miranda Muka, kurse burri është Gjergj Muka. Nuk kemi fare asgjë”. Si jetoni-i pyes thjesht. Këtu gënjejnë të gjithë. Duhet të jetosh shumë kohe me ta, që të kuptosh realitetin e tyre. Kush do të më ndihmoj vetëm gjitonët, dëgjoj gruan matanë. Në fakt dhe gjitonët janë keq, që kur qyteti nuk ka më nevojë në punën e tyre. Të parët tanë kanë pasur zanate llamarinën, bënin kazane, por tani i gjen nga njerëzit e minoritetit grek, që i sjellin nga Greqia. Ata ishin kovaçë me një fjalë, kurse tashti s’janë asgjë. Fëmijët e tyre kanë humbur zanatet dhe më shumë dëshirën për të bërë diçka ndryshe. “Kemi një asistencë 3.000-4.000 lek”, më thotë Miranda. Një grua, e cila qesh vazhdimisht na fton. Ka një shtëpi tejet të pastër, ndërsa i shoqi habitet që na sheh në shtëpi. Jutta e fikson menjëherë në foto, që nga jashtë. Zbresim disa shkallë dhe takojmë dhe të tjerë. Egjiptianët janë të pastër dhe shumë të dhënë pas njëri-tjetrit. Dikush vazhdon zanatin në shtëpi të këpucarit, por kuptohet se nuk ka vënë tabelë, që të mos njihet..dhe mos të paguajë taksa. Të shoqen e ka të komunitetit të bardhë dhe ajo po pastron jashtë bashkë me të renë, e cila është egjiptiane...Pak më tutje, një plakë, që është nëna e Gjergjit (më duket), pozon në shtëpinë e saj...Ka ngazëllim në lagje, por pak atmosferë. Tulaten menjëherë se jemi thjesht gazetarë...Nuk kemi më se çfarë të bëjmë. Gruaja vazhdon të qeshë, kurse i biri, në mos gaboj, duhet të shkoj për një punë në Lazarat...
...
Autor i veprës “Kamus ul- Alam” vërteton se në Shqipëri, Rumani, Turqinë Evropiane dhe Serbi ka, ku më shumë e ku më pak, evgjitë. Siç shihet, për dijetarin e madh Sami Frashëri evgjitët vijnë nga shteti i lashtë i Egjiptit, të cilin ai e emërton EVGJITERI (MISIR).
...
Izmini del se është shumë tërheqëse. Na grish të rikthehemi në qytet dhe ta lajmërojmë që më parë. Nuk e di në do të kthehem më në qytet për këtë temë, por di të them se egjiptianët janë mbresëlënës pikërisht prej sjelljes së tyre dhe të trishtojnë që kanë humbur tashmë gjithçka: muzikën, zanatet. Për fat, sot, organizatat e Egjiptianëve i kemi në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, ndërsa ndërgjegjja etnike është zgjuar dhe në Bullgari dhe në Greqi, mirëpo deri më tani në këto shtete nuk është lejuar ende të tregohet përkatësia etnike e personave. Mbase kjo është një shenjë e mirë e ndryshimit.
...
Djali na përcjell që tutje. Të nesërmen, kam dëgjuar nga bashkëbisedimi i tij me të ëmën do të ikë në shkollë, por i ankohej të ëmës se një mësues vazhdon të tregohet jo i mirë me të. Gjergji qesh dhe është bërë miqësor, madje dhe është pastruar. Me sytë e dalë, vizaton një buzëqeshje, që i ngjan pak ngërdheshjesh. Kaq..Na Ikim, ndërsa Izmini mundohet të na përcjellë deri tutje. E lemë në qytet afër Çajupit. Gjergji zë një vend diku, duke u marrë me gjërat e shtëpisë. Janë ditët e dimrit të vitit 2010.
Shkrimi është mbështetur dhe në të dhëna të Rubin Zemon , etnolog - doktorant

SipërEmail Printo

  Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike


Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet

Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë