Revista Mapo
  E Enjte, 09 Shtator 2010
  KERKO  SHFLETO ARKIVEN
Perdoruesi:   Fjalekalimi:  
Numri 194 i revistes
Përmbajtja
Numrat e Kaluar
Abonohu
  Kryeartikull
  Politike
  Ekonomi
  Dossier
  Reportazh
  25 pyetje nga Mustafa Nano
  Ekskluzive
  Sociale
  Kulture
  Forum
  Rue Wiertz 60
  Mesazh në Shishe
  Bote

Fotografia e Javes

Karbon

Shqipni e Harrume

Kontakte
Rruga 'Gjin Bue Shpata'. pallati 9/A, Ap. 48,
Tirana, Albania

+355 (0)4 223 110

www.revistamapo.com
info@revistamapo.com
 
Rubrika:: Reportazh
Foto Ekskluzive nga Jutta Benzenberg

Në kalanë e Gjirokastrës...Një “Kronikë e re në Gur”

Shkruan : Ben Andoni

Ai shpjegon me shumë patos. Do bëhet kështu. Kemi bërë hidroizolimin. Pastaj, në një fazë të dytë, kuptohet se jemi të varur nga fondet- mund të hapim më tej e të vazhdojmë. “Do punohet me përmbajtjen dhe dizajnin, ndërsa faza e fundit ka të bëjë me pasurimin që është një proces që do të vijojë...”. E ndjek me sy mbi planimetrinë e Kalasë së Gjirokastrës, por që për mua ende s’thotë gjë. Jam ‘i zhgënjyer’ deri më tani. Nga Gjirokastra. Nga magjia e saj, që prej kohësh nuk është më magji. Veçse për fat i mrekullon shumë të huajt dhe sidomos ata, që i akorduan atë motivacion fantastik në vitin 2005. Edhe ai e di. Të gjithë ata, që si ai i janë përkushtuar Gjirokastrës... e dinë. Befas, Sadi Petrela e kupton se çfarë duhet të më thotë. Ish-gazetari, një nga drejtuesit e Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës, kupton se është më mirë që gjërat të preken. “S’do ishte keq të takohemi pasi të kthehesh”, më thotë telegrafisht. Për çfarë duhet të flasim, e pyes. Ngaqë, është e njëjta gjë: Ti shkon për mrekullinë dhe nuk prek asgjë. “Kjo që thua është pak a shumë mendimi i përgjithshëm me të cilin janë dakord të gjithë në qytet-ma kthen Sadi. Por unë do e shihja më gjerë e më thellë. Rrënja e këtij paradoksi qëndron në një paradoks edhe më të madh: Në hendekun e madh mes potencialit turistik të jashtëzakonshëm të qytetit dhe performancës ende mjaft modeste e fillestare të tij si atraksion turistik me këto vlera të jashtëzakonshme. Pa diskutim se qyteti vizitohet gjithnjë e më shumë për shkak të trashëgimisë që mishërohet në peizazhin e saj arkitekturor, (pra atë që na kanë lënë të parët tanë) por jo aq sa mund të vizitohej, po të kishte bërë të realizueshëm këtë potencial, përmes infrastrukturës turistike, muzeve, materialeve promocionale, organizimit të promocionit brenda dhe jashtë vendit si në Butrint apo Korfuz, zhvillimit në qytet të mentalitetit turistik etj etj. (pra atë që bëjmë ne sot). Dhe ky deficit është i dyfishtë : numri i vizitorëve është ende i vogël, por edhe koha e qëndrimit të tyre është e shkurtër. Të dhënat e Zyrës Turistike ne Gjirokastër flasin se rreth 90 për qind e vizitorëve qëndrojnë vetëm disa orë”. Ndahemi. Ka të drejtë.

...
Katërmbëdhjetë orë më vonë, në një mëngjes ku nuk duket ende moti kemi lënë Tiranën. Prognoza, për fat, ka parashikuar një ditë pa shi, por me vranësira të ndryshme dhe rikthimin e plotë të tyre, sërish një ditë më vonë. Nuk kemi se çfarë të humbim pra. Rrugës na mbërrin shiu, ndërsa mëngjesi i ditës së parafundit të janarit, fillon të dalë me plot grihninë e tij. Nga pas, Jutta ka filluar punën. Zukatja e lehtë dhe ritmike e aparatit na tregon se duhet të jetë e kënaqur. Në fakt, s’kënaqet lehtë, ndërsa shiu veson sak një moment sa për të na larguar nga realiteti. Nuk flasim. Kalojnë minutat.. Nga tutje Ballshit, mjegulla i ka bërë një strehë të gjerë Malit të Qepinit. Në orën 10.00 të paradites kemi mbërritur në qytetin e Gjirokastrës.

Drejt Kalasë
Nuk shkojnë si duhet planet. Vonohemi. “Egjiptasit” na pozojnë keq. Akoma më të angushtuara vajzat e trafikut. Koha ndërkohë ikën. Pandalim. Jutta është krejtësisht e pakënaqur. Diçka nuk shkon. Kalaja është destinacioni ynë i fundit i ditës. Do të na shoqërojë Enkeleda, një nga vajzat që punon në GCDO. Vajza simpatike e ngjit dalëngadalë dhe ritmikisht kalanë me një ritëm, që duket se e bën shpesh këtë punë. Shoferi na del përpara dhe me kënaqësinë e dobisë së mjetit, na pret sipër. Dihasim. Enkeleda do të jetë ciceronia jonë e mjediseve të kalasë. E pyes për drejtimin e muzeut. Do e shohim, më thotë. Pa shumë fjalë. Ka një mrekulli kalaja, kur ngjitesh: Ti zotëron të gjithë luginën e Drinos. Kurse ata, që interpretojnë në kala, duhet të kenë ndjesinë se tingujt e tyre janë hyjnorë. Duhet ta ketë ndjerë lahutari dhe vajtonjësit e këngëve të zakonshme të kurbetit, kurse lodërxhiu nuk është çudi, që të ketë kaluar në ekstazë nga rrahja e lodrës së tij. Kthehem në realitet, ndërsa presim çelësin. Qyteti i Gjirokastrës duket pak paradoksal pas përfshirjes së tij në listën e UNESCO-s. Është shumë i vizituar për shkak të performancës së tij të përkryer urbanistike, por shumë pak i prekshëm nga ana e vlerave të saj potenciale në trashëgimi. Përshkojmë ngadalë mesoren kryesore të kalasë, ndërsa lagështira na i shpon thellë kockat. Jutta shkëputet dhe humbet në kala. Kthjellohem, ndërsa në vesh vjen optimizmi i zakonshëm i Sadit: “Natyrisht kapërcimi i këtij hendeku apo paradoksi do kohën e vet dhe hapat po hidhen në drejtimin e duhur, por jo me shpejtësinë e duhur apo të mundshme. Kjo është më dukshme në trashëgiminë shpirtërore jo materiale, e cila ka nevojë më shumë të shpjegohet dhe interpretohet si duhet me pak shpenzime dhe me pak më tepër kujdes dhe vëmendje. P.sh. isopolifonia që është njohur gjithashtu si vlerë e jashtëzakonshme edhe nga UNESCO është shumë pak e evidentuar për vizitorët. Po ashtu jeta e njerëzve në periudhën komuniste, për të cilën janë shumë të interesuar turistët si nga Perëndimi ashtu dhe nga Lindja për shkak të izolimit të Shqipërisë së asaj kohe etj Një tjetër potencial shumë i madh është trashëgimia e pasur arkeologjike, etnografike, kulturore e gjithë luginës së lumit Drino, pasuria e madhe natyrore e zonës”. Ka ardhur Enkeleda. Më sjell çelësin. E ndjek.

Muzeu
Ai, që do të jetë muzeu, është përtej mesores kryesore të kalasë, ku dergjen në dy krahët armët. Është hidroizoluar, ndryshe nga mjediset e tjera, kurse thollot, arkadat, vertikaliteti i formave- të sjellin ndërmend pak a shumë modelin e muzeumit gjigand të Edinburgut. Diku janë të varura rroba punëtorësh. “Nga universiteti i Sienës kanë bërë një hartim tredimensionalsh të gjithë mjedisit të kalasë dhe veçanërisht të këtyre mjediseve nga ku do të fillojë muzeu”, më thotë vajza, hapat e të cilët kumbojnë në një akustikë si horrori. Në fakt kapet edhe pa folur ideja e performancës, ndërsa tashti përballë është sfida: Sa do të realizohet. Deni, shefi i kësaj iniciative dhe Diane, muzeumologia, duken të sigurt. Ndërsa, unë që se prek ende më duket hipotetike. Kujtoj fjalët e burrit sesi do ketë një interpretim sa më tërësor dhe gjithëprëfshirës të vlerave që ka qytetit dhe rrethinat, gjë do e rrisë turizmin në qytet në të dyja dimensionet numrin e vizitorëve,por edhe kohën e qëndrimit të tyre”. Ka një logjikë shumë pragmatiste, Sadi, ish-gazetari simpatik . Duke u nisur nga fakti që të gjithë e vizitojnë kalanë, pika kryesore e tërheqjes do mbetet muzeu, ku do qëndrojë e paraqitur gjithçka: Kjo do të thotë se tashmë nuk do të rrinë disa orë, por ditë sepse do kërkojnë të prekin vetë Hadrianopolin, Antigonenë, natyrën në Çajup etj etj. “Nga ana tjetër ne mendojmë se përmes materialit audio dhe video do vijë në muze edhe muzika popullore e polifonia në veçanti, pamje filmike të kohëve të ndryshme nga qytetit e kështu me radhë”. Ndërsa, kaloj pak tutje, ku ndjesia e manastirit së Umberto Ekos, është gati prezente vajza më tregon se: duke restauruar, u zbulua një galeri e fshehur dhe aty u has një zbulim interesant: Një furrë për pjekjen e bukës. Ajo mund të shërbejë për të ilustruar se si gatuhej në Kala, si ishte jeta atje apo edhe për traditat e sotme të kulinarisë gjirokastrite që janë edhe ato një aset i madh turistik i pashfrytëzuar si duhet. E përshkojmë të gjithë hapësirën e muzeut, që duket shumë më e madhe, kur futesh më në thellësi. Pikat e ujit që bien drejt sterave dhe lagështira e bëjnë shumë poetike horronin këtu.
Dalim me vajzën. Përballë hapësirës qendrore të kalasë, ku është skena e festivalit gjithçka ka ngrirë. Një djalosh i vetëm, bën poza melankolike diku. Naimi, shoferi ynë, ka shkuar te aeroplani, ndërsa Jutta afrohet nga përtej, si një albatros i vonuar. “Dikush ka marrë këtë mjedisin”, më thotë vajza për një mjedis në një nga ekstremet e kalasë përballë Sahatit, që ka mbetur prej kohësh. Po lagështira, e pyes ngaqë s’po e mbledh ende veten. E kanë rregulluar, ndërsa ideja jonë është që të kthehet dhe në qendër “kulturore shumëfunksionale ku të zhvillohen aktivitete si shfaqje, ekspozita,mbrëmje gala. Kështu dhe muzeu do jetë i gjallë, kujtoj Sadi, që ka një plan në kokë, që duhet të përkojë me 200 vjetorin e rivitalizimit të Kalasë prej Ali Pashës”. Një klithmë piskat nga tutje. Është zëri i një bariu, që tej jugut të kalasë ka vënë para bagëtinë. Më kujtohet Lear. Gjirokastra e intereson shumë si qytet dhe si peizazh, po ajo që e çudit është kostumi i grave në rrugë, një napë e bardhë që i mbulon nga kreu në këmbë, me bërrylat e ngritura përpjetë, si një lugat me katër çipa! –shprehet. Nga maska e fytyrës prej dy vrimave duken dy sy dhe poshtë napës bulasin çitjanet e kuqe dhe këpucët e verdha të kanari! Bash, në këtë kohë hoxha fillon e këlthet. Kujton se po shembet Gjirokastra, por është për një zotëri që paska vdekur në Stamboll, e mbyll piktori i njohur. “Muzeu do përmbajë gjithçka që është sintetike për të treguar Gjirokastrën dhe luginën e lumit Drino: në formën e maketeve, objekteve muzeale, tabelave shpjeguese e deri tek filmimet, regjistrimet zanore për historinë gojore të qytetit etj etj Ne kemi bërë studimin paraprak dhe po vendosim një bashkëpunim të mirë me institucione lokale dhe ato në Tiranë si arkivat historike e te filmit, Muzeun Kombëtar, arkivin e RTSh etj Dhe të dhënat tregojnë se është e mundur të krijohet një muze modern, interaktiv dhe përfaqësues për Gjirokastrën. Duhet thënë se procesi i konceptimit, dizenjimit është kompleks dhe shumë krijues. Ai sjell edhe të papritura”, më ka shpjeguar Sadi, duke na e sjellë të gjallë kakofoninë e mrekullueshme të vendit.

Pak histori
Nga ana arkitektonike është vërtetë një mrekulli. Elenita, një tjetër specialiste këtu, më ka thënë se kalaja është vepër e një arkitekti gjerman dhe mrekullia arkitektonike shihet nga galeri të nëndheshme, të cilat të çonin në të gjitha drejtimet e Kalasë. Harqet dhe galeritë e brendshme harmonizoheshin me thollot, shumica e të cilave do hapen dora-dorës dhe dikur shtonin fortësinë dhe rezistencën e Kalasë në tërësi. Një dorë merakliu, ka harmonizuar lartësinë e harqeve dhe kreshtave sipërore në vazhdimësi me qemeret. E të gjithë elementët duken si të derdhur. Për ironi, shqiptarët vërtetë e bënë Muzeum për Armët, ndërsa deri në vitin 1968 ajo shërbente dhe si burgu i qytetit me emrin “Shtatë penxheret” sepse nga një anë e kullës ohurzezë dukeshin “7 dritare”. U mbyll vitin, kur do fillonin festivalet folklorikë. 150 vjet më parë, Petro Korçari, kryearkitekti i Ali Pashës e ka zhdukur gati krejt kujtesën e kalasë mesjetare ose rrënojave antike, që Dokumentet e përmendin më saktë më 1336. Më 1672 Çelebiu jepte një përshkrim dhe më inkurajues: “ Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Krejt prej guri të gdhendur. Në mes të Kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi. Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis Namasgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi janë përrenj natyrorë”. Më 1812, Kalaja e Gjirokastrës u pushtua nga Ali Pashë Tepelena, i cili filloi rindërtimin e saj. Është mbaruar për një vit e gjysmë me një saktësi ndërtimore, që flet se 1500 të punësuarit duhet të kenë vuajtur jo pak. Do ishte një pinjoll deri atëherë i panam i qytetit, nga Kadaretë, që e bëri të pavdekshme në libër. I kërkoj vajzës të më tregojë shtëpinë e personazhit të Kadaresë, që qëllon me kundërajror...Nuk duket, ma pret pa u kthyer fare. Tashmë jemi pesë veta. Rrotullohemi. Diku në një lartësi prej 2.25 metrash është e ngritur mbi Kulla dhe një si mbulesë, ku janë hapur rreth 4 frëngji topash dhe pushojnë 18 frëngji pushkësh. Një ndër hyrjet e kalasë në drejtimin e Dunavatit quhet “Porta e Vezirit”. Të tjerat s’më kujtohen.
Bëjmë një set të tërë të fundit me foto nga elementë të ndryshëm të kalasë dhe më tepër të pamjeve prej saj. Muret, bedenat, kulla e Sahatit brenda saj janë vetë pulsi i Gjirokastrës fotoja e jetës së saj. Ndahemi me vajzën, të cilës Jutta i ka bërë disa foto shumë artistike në mesoret e Muzeut dhe njëherë...Ikim. Sërish errësirë në kthim. Ka filluar shiu. Është fundi i janarit 2010.
...
Tani mund të flas, më thotë Sadi. Jemi sërish në të njëjtin vend, dy ditë më vonë. “Ne mendojmë se vete qyteti ka nevojë për një qendër të tillë, ku të pasqyrohen të artikuluara arsyet e krenarisë së banorëve Gjirokastrës për qytetin e tyre. Muzeu “Kronikë në Gur” do të shërbejë edhe si një qendër për edukimin e brezit të ri për ilustrimin e orëve të mësimit të historisë së vendlindjes etj. Po pse jo në të ardhmen edhe një qendër për zhvillimin e historiografisë dhe muzeumologjisë lokale. Ai duhet të jetë i hapur për tu pasuruar me kalimin e kohës sepse historia e qytetit prodhohet çdo dite: ajo që sot është aktualitet pas disa vitesh nis e futet në faqet e historisë. Dhe një muze është jetëgjatë sa një qytete. Aq më tepër një muze i titulluar “Kronikë ne Gur”. E kupton se ka folur me shumë patos. “(Gjirokastritët) duhet të jenë krenarë edhe për muzeun e qytetit të tyre, por kur të jenë vërtetë pjesëmarrës dhe pjesëtarë të tij”, e mbyll.

SipërEmail Printo

  Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike


Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet

Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë