| |
“Ruzhdija” në Kutinë e Pandorës Shkruan : Lorenc Vangjeli Nuk kishte gjë që i bindte tre miqtë e revistës MAPO për të kundërtën. Në fakt vetëm dy prej tyre e kishin këtë ide, kurse i treti vetëm heshte dhe buzëqeshte sikur i kujtohej dita që kishte ardhur në këtë botë nga materniteti. “Jam i lumtur”, tha ai që në çastin e parë kur erdhën të tre për ritualin e përjavshëm në revistën MAPO dhe pastaj heshti pa dhënë asnjë shpjegim më tepër. Që ishte i lumtur kjo ishte një gjë që dukej menjëherë, por as nuk e dinim pse ishte i lumtur dhe as nuk guxonim ta pyesnim se pse nuk ishte i mërzitur si gjashtë muajt e fundit rresht. Për më shumë që dy miqtë e tjerë gazetarë, miq të revistës MAPO, ishin aq të trishtuar, sa ngjallnin keqardhje kur i shihje me cepat e buzëve të varura si peshq të kapur me grep papritur. Si gjithmonë, dy “vajza” ishin shkaku i lumturisë dhe trishtimit të tyre: e para ishte Ruzhdija dhe e dyta një vajzë tjetër, por e panjohur.
“Unë e kam thënë gjithmonë, një grua do të shpëtojë Shqipërinë”, tha gazetari i parë.
“Ruzhdija është emër gruaje, por nuk është grua, është fshat dhe megjithatë, ajo mund ta shpëtojë Shqipërinë, edhe unë e kam thënë këtë gjë”, tha gazetari i dytë.
“Një grua mund të fusë shejtanin në shishe, në qyp apo në kuti, por nëse do një grua, mund të heqë tapën e saj dhe të bëjë të lumtur një burrë”, tha krejt pa asnjë lidhje me politikën gazetari i tretë. Dukej që ai e kishte mendjen tjetër kund dhe kjo gjë i nervozoi dy miqtë e tjerë.
“Ore je i çuditshëm ti! Ne kemi hallin e Shqipërisë, ti ke hallin tënd”, i tha gazetari i parë.
“Ore je jashtë mode ti! Me gjithë këto halle që ka Shqipëria, ti prapë vetëm hallin tënd qan”, i tha gazetari i dytë.
“Më lini rehat”, tha gazetari i tretë.
“Nuk duam të të lemë rehat! Ose na thuaj se çfarë të ka ndodhur, ose bëje dhe ti fytyrën e mërzitur si ne, se ndryshe nuk do ta kemi mirë punën bashkë”, tha gazetari i parë.
“Ti ke gjashtë muaj që nuk je futur në një grua, ne kemi tetë muaj që duam të nxjerrim votat e vjedhura nga kutitë e mbyllura”, i tha gazetari i dytë.
Ky ishte dhe momenti i kthesës. Momenti i rrëfimit. Gazetari i tretë, që nuk ka grua dhe e kishte lënë e dashura tha se e dashura e tij që i ishte bërë papritur “ish-e dashura”, shpresonte shumë se, e njëjta vajzë, do të bëhej sërish e dashura e tij pa “ish”. Vetëm një orë më pas, mundëm të mësonim se ata të dy ishin puthur për herë të parë pas gjashtë muajsh. Vetëm atëherë ai na tregoi se ishin përqafuar pa fjalë dhe se kishte shpresë që më në fund, pas gjashtë muajsh, mund të hynte sërish në një grua.
“Hap sytë dhe bëj kujdes”, e paralajmëroi gazetari i parë.
“Tani ajo punë bëhet me sy mbyllur, por t´i mbaji sytë hapur se me siguri ke harruar çfarë bëhet me gratë në këto gjashtë muaj”, e paralajmëroi dhe gazetari i dytë.
“Jam i lumtur”, tha plot naivitet gazetari i tretë.
Pastaj u morrën me njëri-tjetrin dhe ishte e pamundur të kuptoje diçka nga biseda e tyre. I përmendën sërish Ruzhdijen, pastaj pyllin e Dushkut në të cilin kjo Ruzhdija ishte rikthyer për ca punë të pista, por me këmbë e kuti të mbyllura, pastaj folën për Teftën dhe Burbuqen, (vajza krejt të panjohura, por me siguri shumë të bukura) dhe në fund fare edhe për një grua me emrin Pandora. Kjo Pandora ishte çfarë ishte, sipas tyre.
“Po të vendosë të hapet Pandora, atëherë do të shikoni se çfarë do të ndodhë”, tha gazetari i parë.
“Hallin e Shqipërisë kemi, se Pandora hapur na gjeti, hapur do të na lejë”, tha gazetari i dytë.
Gazetari i tretë nuk tha gjë tjetër veçse përsëriti se ishte vërtet i lumtur për një puthje që kishte marrë aksidentalisht. Vetëm kur ikëm u kujtuam se Pandora nuk ishte as grua. Ishte dhe ajo thjesht e zonja e një kutije. Ndoshta si kutitë e votimit. Por askush nga ne nuk e dinte nëse me Pandorën ishte marrë KQZ-ja apo jo. E rëndësishme ishte të kuptohej edhe njëherë se në të gjitha hallet dhe lumturitë e hapura dhe të mbyllura të Shqipërisë, gjithmonë kishte pasur gisht një grua. Pavarësisht emrit të saj. Pavarësisht se tani e thërrasin të gjithë me përkëdhelje: Ruzhdije.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|