| |
Duke pritur 6 marsin Shkruan : Skender Minxhozi Një ditë pas kësaj date, tashmë shumë të debatuar, fëmijët e shkollave dhe gratë presin zakonisht lule dhe urime. Festat e 7 dhe 8 marsit janë mjaft popullore dhe sjellin lëvizje e hare sidomos në ambjentet e shkollave kudo në Shqipëri. Këtë vit, këto dy ditë festimi do të shoqërohen nga një tjetër ngjarje (e pritshme, më shumë sesa e sigurtë), e cila ka një natyrë dhe një shije krejt tjetër. Politika do të hyjë dhunshëm në këtë mjedis feste, duke debatuar mbarimin imagjinar të mandatit të deputetit për mbi 60 përfaqësues të zgjedhur të popullit në votimet e 28 qeshorit 2009. Fjala është për anullimin me një të rënë të lapsit të rreth 600 mijë votave të dhëna nga shqiptarët atë ditë, për këtë listë kandidatësh.
Në intervale kohore të rregullta dhe me një këmbëngulje që shkon në kufijtë e një provokacioni të hapur, Berisha dhe Topalli u kanë kujtuar deputetëve të opozitës se 6 marsi do të jetë fundi i mandatit të tyre parlamentar. Në ndihmë të tyre është angazhuar jo vetëm media qeveritare, por edhe ajo pjesë e kundërshtarëve të Ramës brenda partisë, e cila e ka kthyer ndërprerjen e bojkotit në të vetmen betejë politike publike. Nuk është e vështirë të shquhet një tendencë e ushqyer me ngulm nga faktorët e mësipërm, se data 6 mars do të jetë fatale, e pakthyeshme dhe shkatërrimtare për PS dhe aleatët e saj.
Sa i vërtetë është ky percepetim? Sa e mundur është që diçka e tillë të ndodhë vërtetë? Ashtu si çështja e nenit të shkelur në Kodin Zgjedhor për hapjen e kutive, edhe kjo e mandateve të deputetëve, para se të jetë një çështje ligjore, është një konjukturë e pastër politike. Situata sui generis e krijuar gjatë krizës aktuale parlamentare, heq çdo mundësi praktike që me mandatet e 64 opozitarëve të mund të aplikohet një logjikë e thatë juridike, edhe ajo plot sfumatura dhe interpretime subjektive. Të heqësh mandatin e opozitës së vendit me listë, është një hap që vështirë se mund ta ndërmarrë një maxhorancë sado e fortë, e jo më kaq e dobët dhe e britshtë sa kjo e tanishmja.
Ajo që është shumë më e mundshme dhe që në fakt po ndodh këto orë, është përdorimi si plaçkë lufte që Berisha po i bën këtij argumenti, në tryezën e ardhshme të negociatave për të zgjidhur krizën. Kryeministri e di mirë se e ka thuajse të pamundur të anullojë me një të rënë të lapsit opozitën e vendit, por ai e di se mund të luajë fare mirë me dobësinë njerëzore, e cila ka bërë tashmë vend tek një pjesë e grupit socialist që sheh me frikë nga 6 marsi. Nëse opozita pati një rast unik për të hyrë në Kuvend, qoftë edhe përkohësisht, gjatë përmbytjeve të fundit në zonën e Shkodrës, ajo ka gjithashtu rastin që të rezistojë tani jashtë parlamentit, pasi çdo lëvizje nga ky pozicion do të sillte pasoja politike dhe do të dëmtonte pozitën e forcës në të cilën opozita ndodhet, sidomos pas rezolutës së Këshillit të Europës. Ashtu si Berisha po kërkon të luajë me 6 marsin, edhe Rama mund ta bëjë diçka të tillë, nga kahu i kundërt.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|