Të gjithë drejt kompromisit (...apo drejt mirazhit të tij?!)

Topi, Berisha, Topalli, ambasadorët në kor...më pak Rama dhe të tijët. Të gjithë duken nën hipnozën e stinës së re politike. Pluhuri i 8 majit duket se u fashit (ose më mirë këtë mundohen të bëjnë me fshesë në dorë të huaj e shqiptarë), dhe prozhektorët janë drejtuar mbi Parlamentin e ri. Aty thuhet dhe besohet, formalisht, më shumë sesa realisht, se do të ndodhë ndryshimi i madh, i cili do të hedhë tutje dy vjet krizë të thellë politike. Entuziastët e kompromiseve politike predikojnë papushim një tjetër flirt institucional mes Berishës dhe Ramës, si ai vitit 2008, kur u ndryshua kushtetuta, u dobësua presidenti dhe u ridimensionua pozita e prokurorit të përgjithshëm.
Kjo liturgji politike, e cila shpesh artikulohet në shqip, por edhe më shpesh në anglisht, ka në bazë të saj parimin se gjithçka e ndodhur në ambjentin shqiptar nuk ka vlerën e një precedenti, por duhet arshivuar. Në këtë mënyrë u zbërthye edhe finalja me fotofinish e zgjedhjeve në Tiranë, ku Lulzim Basha spostoi Edi Ramën falë një vjedhjeje të hapur në tavolinën e gjykatave të korruptuara shqiptare.
Duket sikur ka kaluar një shekull nga ai sherr procedurash. Rama u tërhoq në hije duke bërë editorialistin, Berisha shkoi në plazh për të thyer rekordin e tij qesharak të notit, ndërkombëtarët ndërruan podiumet e Tiranës, me tryezat e birrës e qofteve. Nuk kishte klimë më të mirë për një stinë të re. Ose të paktën, të ambalazhuar si të tillë.
Opozita do të hyjë në Kuvend në sesionin e ri të vjeshtës. Deri tani ky shihet si hapi i madh që do të zhbëjë të gjitha prapësitë politike të pas 28 qershorit 2009. A thua se prania e opozitës në parlament do të sjellë automatikisht zgjidhjen e krizës, mendjet fluturake po na thonë se ky ka për të qenë fundi i sherrit, armëpushimi final, stacioni i fundit i tunelit të errët ku ndodhemi.
Sa i vërtetë është ky lexim i situatës që mbizotëron sot në dy transhetë politike, PD e PS?! Sa gjasa ka, që pasi janë sharë me libër shtëpie, pasi kanë ndarë mes tyre dy fushata zgjedhore shumë traumatike, Sali Berisha dhe Edi Rama të vendosin papritur për një start të ri, krejt të ndryshëm nga bataku aktual?! Nëse analizohen rrethanat në të cilat ndodhi kompromisi i tyre i parë, ai i vitit 2008, si dhe nëse shihet me kujdes se cili është konteksti politik që shoqëron këtë stinë politike, deri në vitin 2013, nuk mund të mos i vesh disa minuse të forta entusiazmit të atyre që besojnë se sot fillon një epokë e re.
Ajo që ndodhi në vitin 2008, kishte motive të forta që lidheshin me interesat politike të momentit të të dyja krahëve. Berisha kërkonte dobësimin e Topit dhe goditjen e prokurorit të përgjithshëm. Paralelisht me këtë, ai kërkonte të forconte pozitën e tij kushtetuese si kryeministër. Paradoksalisht edhe Rama kërkonte të njëjtat gjëra, nga pozita e opozitarit që pret të ulet shumë shpejt në poltronin e Berishës. Por më tepër se kaq, ai dëshëronte gjithashtu një sistem zgjedhor që të godiste numerikisht LSI, duke e tkurrur në maksimum. Puqja e kësaj liste interesash prodhoi atë kompromis unik mes dy krerëve aktualë të poloitikës shqiptare. Më shumë sesa një ujdi, ajo qe një skemë hilesh që Berisha e Rama po i luanin njëri-tjetrit, si dhe të tretëve që përfshiheshin brenda asaj formule politike.
Tre vjet më parë egzistonin pra rrethana të cilat sot, kur Meta është në anën e Berishës, kur Topi dhe Ina Rama janë diçka më shumë se disa figurina kartoni dhe kur pushteti i Ramës kalon nëpër tunelin e vitit 2013 – duket mjaft e vështirë që kompromisi i ri, nëse do të ndodhë, të jetë gjithaq i lehtë dhe i shpejtë, si më 2008.
Nuk është sekret të thuhet se tashmë gjithçka luhet në funksion të vitit 2013. Rama po kërkon që të kushtëzojë qenien në Kuvend dhe kalimin e paketave ligjore që kërkojnë shumicë të kualifikuar, me bashkimin e ndryshimeve në Kodin Elektoral, me ato të Kushtetutës. Pra, i njëjti precedent me atë të vitit 2008, kur u amenduan si Kushtetuta, ashtu edhe ligji elektoral. Duket mjaft e vështirë, nga sinjalet që vijnë së fundi, që Berisha të pranojë prekjen e ligjit themelor të shtetit. Ai dhe Meta kanë deklaruar se kushtetuta nuk ndryshohet pa një konsensus të gjerë dhe se ndryshimet në kodin zgjedhor s’kanë pse të shoqërohen edhe me ndryshime kushtetuese. Po t’i shtosh kësaj edhe procesin e zgjedhjes së shumë drejtuesve të institucionevetë pavarura, mundësia e kompromisit ngushtohet edhe më. Pasi maxhoranca duket e vendosur për t’i zgjedhur me forcën e kartonit pasardhësit e Topit, Ina Ramës apo Robert Çekut.
Është e paqartë se çfarë do të bëjë në këto kushte opozita e majtë. Kreu i PS ka pasur jo pak presione për t’i luajtur të dyja rolet: edhe atë të qingjit, edhe atë të ujkut. Një pjesë e lidershipit opozitar mendon se PS në Kuvend do të ishte më shumë një fasadë demokratike, një makijazh i rradhës për qeverinë, sesa një prezencë që do të sillte ndryshime pozitive të prekshme për të ardhmen. Ky segment kërkon vijimin e bojkotit dhe protestave masive, si të vetmen rrugë që të nxjerr tek ndryshimi i situatës politike në vend.
Përballë tyre qëndron një pjesë po aq influente opozitarësh, të cilët thonë se bojkoti i shterri arsyet e tij, se ai nuk dha rezultat dhe se opozita duhet të ndërrojë sjelljen dhe qasjen ndaj situatës politike. Të gjesh një pozicion pajtues mes dy qëndrimeve nuk duket disi e komplikuar, megjithëse nuk është ky elementi më i rëndësishëm. Duket se Rama ka marrë vendim që të shkojë në parlament. Çështja e vërtetë është sesi ai do ta shesë këtë hap, në funksion të interesit të tij politik dhe mbi të gjitha, të përgatitjes për zgjedhjet e vitit 2013.
Në këtë pikë duket se ndodhet e çara e madhe e teorisë së kompromisit politik. Sepse duke logjikuar në funksion të rrugës që u mbetet deri në zgjedhjet e përgjithshme, si Berisha, si Rama, duken tepër të larguar në kalkulimet e tyre personale. I pari kërkon të konsolidojë konjukturën politike që po e mban në pushtet prej 2009, i dyti tenton të krijojë një ambjent të ri politik, i cili do të minonte kampin e maxhorancës dhe do të krijonte lëkundje të mjaftueshme sizmike, për ta rrëzuar Berishën në zgjedhje.
Kjo lojë tërheqjeje litari nuk çon drejt marrëveshjeve, por drejt përplasjeve. Sot duket qartë se mes dy partive të mëdha ka një hendek të thellë interesash, i cili lidhet kryesisht me largimin e mundshëm nga skena politike, ose të Berishës, ose të Ramës, në vitin delikat 2013. Ky pazar i kripur që po luajnë dy bixhozçinjtë e mëdhenj politikë, vështirë se do të lejonte një stinë qetësie në Olimpin shqiptar.
Gjasat janë që përtej hyjres në Kuvend, të mos shohim ndonjë gjest tjetër shtensionues në skenën tonë politike në muajt që vijnë. Sepse palët po përgatiten për betejën e fundit finale të 2013. Ndërkohë që zgjedhjet e 2009 s’ishin aspak të tilla. Ato ishin përplasja e parë mes dy krerëve aktualë. Kjo që vjen, është e fundit. si e tillë, zor se dikush prej të dyve do të lëshojë pe ndaj kundërshtarit. Dhe siç dihet, për të pasur një kompromis, dikush duhet të lëshojë pe në një moment të caktuar. As Berisha, as Rama, s’duken të përgatitur për ta bërë këtë.