Zgjedhjet - Dritëhijet e raportit të OSBE/ODIHR

Si e gjykoni faktin që raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 8 majit nuk e preku çështjen e standardeve të zgjedhjeve? Një çështje frazeologjie, apo një sinjal i kamufluar që lidhet me cilësinë e procesit elektoral?

MARK MARKU
Raporti i OSBE-ODHIR-it është një raport klasik i një organizmi ndërkombëtar dhe duhet parë si i tillë. Gjithë këto kohë që prej publikimit të tij s’kanë reshtur përpjekjet për ta shndërruar atë në një raport partiak duke e mbushur me kuptime që realisht teksti nuk i ka apo duke ia tjetërsuar ato kuptime që i ka.
Mendoj se më tepër se një aktakuzë apo alibi, ky tekst është produkt i një pune të konsiderueshme të një ekipi të përzgjedhur vëzhguesish të një prej organizatave më prestigjioze në monitorimin e situatave zgjedhore siç është OSBE-ODHIR-i. Për këtë arsye do të ishte mirë që pavarësisht faktit nëse na pëlqejnë apo nuk na pëlqejnë rezultatet e monitorimit të gjitha palët ta përdorin këtë raport në favor të përmirësimit të procesit elektoral. Raporti evidenton si standardet, ashtu edhe problematikën e vërejtur në terren mbështetur në të dhëna të verifikuara dhe të verifikueshme. Në këtë kuptim e shoh si të pavlerë përpjekjen për të nxjerrë nëpërmjet raportit përfundime që raporti nuk merr përsipër t’i nxjerrë. Ky raport është i vlefshëm pikërisht për faktin se e analizon procesin zgjedhor në mënyrë komplekse pa arritur në përfundime sempliste që mund të përdoren më pas si slogane politike nga palët e përfshira në proces.

ANDI BUSHATI
Mendoj që është një çështje që lidhet me problematikën e veçantë të asaj që ndodhi në garën e 8 majit. Sepse në të gjithë Shqipërinë zgjedhjet ishin me standarde. Ndoshta më të mirat e zhvilluara ndonjëherë në vend. Nuk pati probleme me listat, nuk pati probleme me dhunën, nuk pati probleme policinë, apo me fenomene që janë parë më parë. Të tilla u duk se do të qenë edhe në Tiranë, jo vetëm kur përfunduan në datë 8, por deri më 14 maj, kur një garë rrënqethëse, transparente dhe nervshkatëruese, mbajti para ekraneve gjithë Shqipërinë, në betejën ndoshta më emocionuese që ka njohur këto 20 vjet politika shqiptare.
Por gjithçka filloi të degradojë pas këtij momenti, kur politika vendosi të dhunojë institucionet për të zhbërë rezultatin e Tiranës. E këtu është vështirë të thuhet nëse problemi është me zgjedhjet, me standardet e tyre, apo është një problem më i madh, është problem i kulturës demokratike shqiptare, për përfilljen e ligjeve, për pavarësinë e institucioneve, për ndarjen e pushteteve. Sepse ajo që ndodhi, për shembull, me Kolegjin Zgjedhor, nuk është vetëm një çështje zgjedhore, është mbi të gjitha një çështje e nënshtrimit të drejtësisë ndaj ekzekutivit. Dhe po të lexosh me vëmendje raportin një konkluzion i tillë del qartë. Po si mund të gjendej një përfundim ku të shkruhej se deri diku në mbarë vendin, kishte standarde të pranueshme, dhe në kryegarën e kryeqytetit ato u përdhosën? Duket e vështirë. Ndaj dhe unë mendoj se vëzhguesit i janë shmangur këtij përkufizimi, por duke treguar në detaje, në mbi 36 faqet e raportit se ku u ruajtën dhe ku u shkatërruan standardet.

Bledar Zaganjori
Në fakt, nga vetë drejtuesi i misionit të vëzhguesve të ODIHR, zoti Jonathan Stonestreet, në datën 10 maj, në konferencën e parë për shtyp vetëm dy ditë pas ditës së votimit u deklarua se zgjedhjet ishin transparente dhe konkurruese dhe se çështja e standardeve do të prekej në raportin e mëvonshëm. Prej datës 10 maj ka pasur një raport të ndërmjetëm, në të cilin kritikohej vendimi i KQZ për rinumërimin e votave në kutitë e gabuara në Tiranë pas 14 majit duke hedhur dyshime mbi bazën ligjore të këtij vendimi, si edhe një raport përfundimtar, ku veç faktit që shkruhej se zgjedhjet ishin transparente dhe konkuruese (si në datën 10 maj) përforcoheshin kritikat e raportit të ndërmjetëm dhe shtoheshin kritika të tjera për vendimet e kolegjit zgjedhor, që cilësoheshin në rastin më të mirë si kontradiktore. Ne këtë kontekst, duke numëruar edhe problematiken që raporti përmend për periudhën parazgjedhore, kritikat për dy partitë e mëdha dhe përgjegjësitë e PS e PD në keqmenaxhimin e procesit zgjedhor, ndoshta e bëjnë të pamundur përmendjen e nga hartuesit të plotësimit të standardeve. Diçka që ka vënë në një situatë paksa të sikletshme edhe vetë ODIHR. Një zëdhënës i ODIHR deklaroi në mesjavë se raporti lë të kuptohet se ka patur pjesë ku janë plotësuar standardet, sikurse edhe shumë të tjera ku nuk janë plotësuar standardet. Pra, e përkthyer nga gjuha diplomatike, sërish ndodhemi në situatën një hap përpara nga zgjedhjet e kaluara, por standardet sërish nuk u plotësuan. Vetëm se në ndryshim nga raportet e mëparshme kemi të bëjmë me një qasje më të drejtpërdrejtë të problemeve që patën këto zgjedhje dhe me kritika direkte si për partitë e mëdha, administratën zgjedhore dhe organet e drejtësisë që kishin për detyrë të vendosnin drejtësi për zgjedhjet. Një sinjal më shumë i drejtpërdrejtë se sa i kamufluar për cilësinë e procesit elektoral.

ALEKSANDËR ÇIPA
Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 në Shqipëri, është një dokument analitik vlerësues. Kërkesa për t’u përdorur përcaktueshmërisht arritja ose plotësimi i standardeve të zgjedhjeve në këtë raport përgjithësisht erdhi nga dy palët konkurruese. Pala e shumicës në qeverisje u ndie e kënaqur me mospërmendjen. Pala e opozitës e konstatoi e para mungesën dhe e shpalli si diçka thelbësore këtë term të munguar, i cili kurrsesi, semantikisht nuk duhet parë si çështje frazeologjie. Mungesa e këtij përcaktimi, në realitetin dhe përvojën zgjedhore shqiptare përbën një kauzë përcaktuese për kualitetin dhe cilësinë zgjedhore që pretendohet nga publiku shqiptar dhe që keqpërdoret nga aktorët politikë në konkurrim Përcaktueshmëria e standardeve të arritura apo të mosaarritura, është e nevojshme për një shoqëri e cila e ka klasifikuar demokracinë e vet zgjedhore tek “fluidja”, tek një normë e pastabilizuar konkurrence dhe sidomos tek një përvojë recidiviste vjedhjeje apo ankimtarie. Në zgjedhjet e 8 majit, kjo u ripërsërit dukshëm dhe madje me bujë vrastare në procesin për bashkinë kryesore të vendit, pra për postin e kryebashkiakut të Tiranës. Në këtë kuptim, ky rast, krijoi perceptimin e plotë publik se standardi numërues apo edhe ai administrues i procesit zgjedhor për Tiranën cenoi apo deri edhe rrënoi vlerën morale dhe cilësinë e procesit zgjedhor në tërësi. Raporti i OSBE-ODIHR-it përshkruan të plotë problemet dhe sidomos konstatimet dhe kritikat për procesin në gjithë hapësirën administrative të vendit. Kjo analizë e hollësishme dhe kritikat e adresuara, në vetvete janë thelbi pohues dhe vlerësues i standardit real të procesit zgjedhor që realizuan dy korpuset kryesore politike në vend dhe sidomos protagonistët partiakë e politikë të arenës zgjedhore të 8 majit dhe kalendës pasuese.

Artan Hoxha
Nga e gjetët këtë?! Edhe në ca media u tha se në 36 faqe raport s’përmenden standardet! Në raportet e OSBE/ODIHR përdoret shprehja “Angazhimeve ndaj OSBE-së, standardeve ndërkombëtare dhe të legjislacionit vendas” e cila, në gjuhën e përditshme politike e të medias, zëvendësohet me shprehjen “Standarde zgjedhore”. Shprehja e gjatë përdoret të paktën 12 herë në raport duke iu referuar standardeve të ndryshme e specifike. Raporti duhet lexuar me kujdes.
Standardet përmblidhen në shtatë fjalët kyç: universale, të barabarta, të ndershme, të fshehta, të lira, transparente dhe të përgjegjshme. Kuptimi i tyre jepet në materialet e OSBE/ODIHR. Duhet vizituar faqja zyrtare e internetit ku ka plot dokumente e shpjegime për standardet, metodologjinë dhe raporte nga shume vende.
Nëse e keni fjalën që mungon një vlerësim integral i përgjithshëm i arritjes së standardeve, në ato më pak se 2 faqe të përmbledhjes së raportit, siç është bërë në disa nga raportet e kaluara, kjo është tjetër gjë. Në fakt besoj se është çështje stili, mënyre më të mirë për të dhënë konkluzionin e përgjithshëm. Autorët kanë preferuar të përdorin shprehjen “zgjedhjet ishin transparente dhe konkurruese”, por analiza e standardeve bëhet një-më-një si çdo herë tjetër.
Për ilustrim të të njëjtit stil, po ju jap dy shembuj të freskët raportesh të OSBE/ODIHR,
-Zgjedhjet e 6 Majit 2010 në Mbretërinë e Bashkuar (Angli): “…Zgjedhjet u administruan në mënyrë transparente dhe profesionale e demonstruan një proces të hapur, pluralist dhe me konkurrencë të lartë. Konkurrentët gëzuan kushte të barabarta për fushatë…”
-Zgjedhjet e 3 Prill 2011 në Kazakistan: “…Nevoja për reforma për zgjedhje të vërteta demokratike duhet ende të materializohen pasi këto zgjedhje treguan probleme të ngjashme me ato të zgjedhjeve të mëparshme. Ndërsa zgjedhjet u mbajtën teknikisht korrekt mungesa e kandidatëve opozitarë dhe e një diskutimi vibrant politik çoi në një mjedis jo-konkurrues…”


Raporti duket se e analizon në detaje garën e Tiranës dhe administrimin e saj nga KQZ e Kolegji Elektoral. Si e komentoni trajtimin që raporti i bën sjelljes së këtyre dy institucioneve?
MARK MARKU
Raporti është korrekt në analizën që i bën garës së Tiranës dhe autorët e tij kanë të drejtë që i kanë kushtuar një pjesë të mirë të raport zgjedhjeve në Tiranë pasi gara për bashkinë e Tiranës është për nga rëndësia dhe simbolika politike e barasvlershme me garën e zhvilluar në pjesën tjetër të vendit (të gjitha bashkitë dhe komunat të marra së bashku).
Autoriteti dhe funksionimi i sistemit zgjedhor në tërësi dhe institucioneve që merren me administrimin e këtij procesi u vu në provë pikërisht në Tiranë. KQZ dhe Kolegji Zgjedhor u vunë para provave të vështira teksa ishin të detyruara të merrnin vendime për numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar. Raporti i OSBE-ODHIR-it e ka shënuar këtë moment të vështirë dhe ka vënë re se këto dy institucione në këtë rast kanë vepruar mbi një bazë ligjore të paqartë pasi një rast i tillë nuk ishte parashikuar në kodin zgjedhor. Ata gjithashtu kanë vënë në dukje polarizimin politik të Kolegjit Zgjedhor. Mendoj se këto konstatime mund të shërbejnë për përmirësimin e bazës ligjore në mënyrë që në zgjedhjet e tjera procesi të përmirësohet.

Andi Bushati
Është një trajtim i ashpër, i detajuar dhe pa ekuivoke. Mjafton të përmendim vetëm këto dy fraza për të kuptuar gjithçka. Ja seç thotë për KQZ-në: “…veprimet e KQZ e dobësuan besimin e publikut tek aftësia e këtij institucioni për të funksionuar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”. Ja seç thotë për kolegjin: “ vendimet e Kolegjit lidhur me Tiranën ishin plot kontradikta dhe inkonsistenca”.

Bledar Zaganjori
Raporti sqaron shumë qartë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve veproi politikisht në administrimin e procesit, sidomos në Tiranë. Vendimet e KQZ ishin sipas linjave partiake. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që meqenëse opozita është në minorancë në KQZ, vendimet anonin nga ana e asaj pale që ka mazhorancën, pra Partisë Demokratike. Sa për Kolegjin Zgjedhor, është risi që raporti kritikon vendimet e tij si kontradiktore dhe i jep te drejtë opozitës për afatet e ankimimit. Kritika që janë më serioze se sa mund të duken në pamje të parë, nisur edhe nga kultura e ndërkombëtarëve për të mos kritikuar asnjëherë vendimet e gjykatave.
Por ja që për hartuesit e këtij raporti duket se ka qenë gati e pamundur të hidheshin dyshime mbi drejtësinë e drejtësisë për zgjedhjet.

ALEKSANDER ÇIPA
Në asnjë raport të mëparshëm të misionit më autoritar monitorues dhe vlerësues, për proceset zgjedhore në bashkitë kryesore të Shqipërisë së 8 vjetëve të fundit, nuk ka pasur kritika kaq të adresuara dhe përcaktim të tillë eksplicit si pasazhet e këtij raporti për KQZ-në, kryetarin e radhës së tij dhe Kolegjin Zgjedhor. Në këtë raport flitet qartë për një mungesë integriteti, pavarësie vendimmarrjeje dhe sidomos drejtpeshim të fakteve që kërkojnë vendim ligjor. Në këtë aspekt, kritikat e opozitës së majtë gjejnë si kurrë ndonjëherë përkimin e njëjtë vlerësues me misionin e OSBE-ODIHR-it. Trajtimi kaq i adresuar i kritikave dhe sidomos i deformimit që konstatohet në integritetin, autoritetin dhe funksionimin e këtyre dy institucioneve themelore të procesit zgjedhor për Tiranën, janë një lloj parathënieje dhe detyrë në fuqi për ripërfshirjen e aktorëve të mëdhenj të politikës në dialogun reformues jo vetëm të përfaqësimit në këto dy institucione, por sidomos në fuqizimin e themelit të pavarësishmërisë së tyre në të ardhmen. Për misionin në fjalë, imazhi i rrënuar i procesit të 8 majit për kryebashkiakun e ri të Tiranës, nuk mund të mjaftojë si çështje e zgjidhur, por vlen më së shumti si shembull për një reformë pa imponim dhe presion politik.

Artan Hoxha
Janë shumë më negative vlerësimet për KQZ, për Gjykatën e Lartë dhe/ose atë Kushtetuese në zgjedhjet 2000, 2001, 2003. Pesha e Tiranës, përfshirja e liderit të opozitës në çështje dhe tensioni politik rrisin edhe shkallën e perceptimit të fortësisë së kritikës për këto dy institucione në zgjedhjet 2011 krahasuar me zgjedhjet 2009, 2007 apo 2005 në të cilat raportet përkatës flasin për ndarje në linja partiake të KQZ apo inkoherenca dhe boshllëqe në arsyetimet e vendimeve të Kolegjit edhe në favor të opozitës së sotme apo mazhorancës së djeshme.


Cili do të ishte impakti që do të sjellë në politikën shqiptare pas shtatorit, ky raport?
MARK MARKU
Shpresoj që ky raport të mos shndërrohet në një objekt keqinterpretimesh siç ka ndodhur deri tani. Mendoj se është një bazë e mirë ku mund të mbështeten përmirësimet e ardhshme të kodit zgjedhor.

Andi Bushati
Në të ardhmen e afërt nuk pritet gjë më shumë sesa ajo që ndodhi menjëherë pas publikimit të raportit. Secila palë do bërtasë fitore. Në këtë sens ky raport kishte më shumë rëndësi për analistët e Tiranës, që u përballën për tre muaj me radhë për të vërtetën e asaj që po ndodhte. Ky raport e tregoi përfundimisht se nga anonte e drejta.

Bledar Zaganjori
Nuk e di se çfarë mund të ndodhë nga shtatori dhe tutje, në kuptimin që mund të ndodhë gjithçka. Në fund të fundit jetojmë në Shqipëri ku është normale që të kemi një krizë politike prej afro dy vitesh, të kemi probleme sociale dhe ekonomike siç ka edhe pjesa tjetër e botës në këtë periudhë krize dhe ku sërish të gënjejmë veten se jemi më të mirët dhe se gjithçka ecën për bukuri. Madje, edhe më mirë se sa në Angli, Itali apo Francë. Jemi në Shqipëri, ku mund të ndodhë që kriza të thellohet, por edhe mund të zgjidhet brenda 24 orëve. Shembulli më i fundit, i tre viteve më parë, kur as një muaj pas tragjedisë së Gërdecit ndodhi që partitë e mëdha ndryshuan me një të rënë të lapsit Kushtetutën, hartuan Kodin Zgjedhor dhe harruan përplasjet e ashpra politike, duke hyrë në një vit mjalti që zgjati deri në zgjedhjet e 2009. Do të jetë e vështirë për qeverinë të arrijë plotësimin e prioriteteve të Bashkimit Europian, jo më këtë vit, por edhe deri vitin tjetër pa miratimin e opozitës. Sikurse do të jetë interesante të shihet se cili është kursi më i ri i lajmëruar prej Edi Ramës.

ALEKSANDER ÇIPA
Përvoja politike e vendit e shprehur në protagonizmin klasik PD-PS, nuk le shumë shpresë dhe nuk të bën shumë optimist për impakte të fuqishme dhe të thella ndryshuese. Mendoj se sezoni i ri parlamentar që pritet në shtator ka “një pjatë” gati për të nisur dialogun apo sherrnajën konfliktuale të lënë në mes dy muaj më parë. Aty do të rinisë beteja. Opozita e majtë me një normë të shtuar heterogjeniteti në artikulimet dhe qëndrimet e saj, ka mjaftueshmërisht arsye të bazohet fort në recencën e thellë të raportit dhe në faktologjinë e procesit të cilin ajo e refuzoi për rezultatin dhe procedimin numërues e gjykues në Tiranë. Këtë kauzë që buron prej kazusit të Tiranës, opozita nuk ka gjasa ta kapërcejë lehtë. Është mjaftueshmërisht i vlefshëm për t’u mbajtur si premisë për nisjen e dialogut dhe misionit të vështirë të reformës për zgjedhjet e reja, madje, është argument I mjaftueshëm për t’u përdorur edhe si pretekst për negociim, në kuadër të procesit më të afërt të vitit 2012, atë të zgjedhjes së Presidentit.

Artan Hoxha
Të dy palët e vlerësuan raportit në favor të tezave të tyre. Aq më shumë opozita duket e kënaqur. Asaj iu plotësua kërkesa kundrejt së cilës premtoi se do i rikthehet qasjes konstruktive. Nëse do ndodhë kështu atëherë edhe zgjedhjet edhe raporti ia arritën qëllimit. Përgjigja më e mirë për ata që mendonin se më mirë të mos ishin bërë zgjedhjet apo që opozita të mos merrte pjesë.